“Lejuan Ukrainën të godasë objektivat ruse”, Rusia e zemëruar me SHBA-në e Gjermaninë: Perëndimi po përshkallëzon luftën

Botë | 2 vite më parë

Rusia është e zemëruar me SHBA dhe Gjermaninë që kanë lejuar Ukrainën të përdor armët e tyre për të sulmuar objektivat ruse. Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi vendet se vendimi i tyre për lehtësimin e politikave ndaj Ukrainës do të ketë “pasoja serioze”, duke theksuar fuqinë bërthamore të vendit të tij.

Agjencia ruse RIA Novosti citoi Andrei Kartapolov, kreun e komitetit të mbrojtjes të dhomës së ulët ruse, të thoshte se “Moska do të hakmerret në mënyrë asimetrike ndaj sulmeve të Ukrainës në territorin e saj duke përdorur armë të ofruara nga SHBA”.

Zyrtari i lartë rus i sigurisë Dmitry Medvedev tha se Rusia nuk po bënte bllof kur foli për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore taktike kundër Ukrainës dhe se konflikti i saj me Perëndimin mund të përshkallëzohej në një luftë të plotë.

“Konflikti i Moskës me Perëndimin po zhvillohet sipas skenarit më të keq dhe se askush nuk mund të përjashtojë që ai të përshkallëzohet në fazën e fundit”, shkruan Medvedev në Telegram, raporton Al Jazeera.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka lejuar përdorimin e armëve amerikane në Ukrainë brenda territorit rus për të ndihmuar vendin të mbrojë rajonin e saj verilindor të Kharkivit nga sulmet.

Të njëjtin vendim e mori edhe Gjermania, ndërsa Franca tha se ajo dhe vendet e tjera evropiane do të lejojnë Ukrainën të përdorte armët e tyre drejt objektiva ushtarake brenda Rusisë.

“Ne jemi bashkërisht të bindur se Ukraina ka të drejtën, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, për të mbrojtur veten nga këto sulme. Ajo gjithashtu mund të përdorë armët e furnizuara për këtë qëllim në përputhje me detyrimet e saj ligjore ndërkombëtare; përfshirë ato të furnizuara nga ne”, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar aleatëve të Kievit që ta lejojnë atë të përdorë armatimin e tyre me rreze më të gjatë për të goditur caqet në tokën ruse në mes të një rritjeje të sulmeve këtë muaj, veçanërisht në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme