Lufta në Gaza, shefi i CIA-s takohet me zyrtarët izraelitë dhe të Katarit

Drejtori i CIA-s, Bill Burns pritet të takohet sot me drejtorin e Mossad-it, David Barnea dhe kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al Thani.
Sipas zyrtarëve amerikan, ky takim vjen pas bisedimeve të fundit për armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit.
Gjithashtu bëhet e ditur se është e paqartë nëse kreu i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, do të marrë pjesë në takim, siç ka marrë në të kaluarën.
Nga ana tjetër, këtë javë, Egjipti kërcënoi të tërhiqej nga të vepruarit si ndërmjetës në bisedimet e armëpushimit dhe pengjeve pasi inteligjenca egjiptiane ndryshoi në heshtje kushtet e një propozimi për armëpushim që Izraeli e kishte nënshkruar tashmë në fillim të këtij muaji.
“Përpjekjet e vazhdueshme për të hedhur dyshime dhe për të fyer përpjekjet dhe rolet ndërmjetësuese egjiptiane, me pretendime që kundërshtojnë realitetin, do të çojnë vetëm në komplikimin e mëtejshëm të situatës në Gaza dhe në të gjithë rajonin dhe mund ta shtyjnë palën egjiptiane të marrë një vendim për t’u tërhequr plotësisht nga roli i tyre ndërmjetësues në konfliktin aktual”, tha më parë në një deklaratë kreu i Shërbimeve Shtetërore të Informacionit të Egjiptit, Diaa Rashëan.
I njëjti zyrtar amerikan theksoi se Egjipti është ende i përfshirë, duke thënë se “Egjipti dhe Katari janë shumë të angazhuar, ashtu si edhe izraelitët”.
Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken diskutoi po sot me ministrin izraelit të luftës mbi zhvillimet ligjore në lidhje me Izraelin.
Zyra e ministrit të Kabinetit të Luftës izraelite Benny Gantz tha se të dy udhëheqësit folën rreth urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) për Izraelin për të ndalur operacionet e tij ushtarake në Rafah dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (IÇ) për të kërkuar urdhër-arrest ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahut dhe liderit të Hamasit.
Sipas deklaratës, Blinken theksoi gjithashtu rëndësinë e situatës humanitare në Gaza.
Nga ana e tij Gantz ka theksuar se “Izraeli lejon që ndihma humanitare të arrijë në të gjitha pjesët e Gazës, paralelisht me luftimet”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




