Avioni që u godit rëndë nga turbulencat, flet kapiteni: Ja arsyeja që u godit aeroplani gjatë fluturimit

Botë | 3 vite më parë

Një person humbi jetën dhe mbi 70 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e turbulencave të mëdha në avionin e linjës Londër–Singapor.

Situata traumatike për pasagjerët dhe e pazakontë për pilotët bëri që mjeti fluturues tip Boeing 777 të zbresë rreth 1.800 metra lartësi brenda tri minutave.

Një 73-vjeçar mësohet se ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak, ndërkohë që avioni u detyrua të devijojë fluturimin në Bangkok mes stuhish.

Kapiteni Alban Biçaku shpjegoi për “Jetë shqiptare” se turbulencat janë të parashikueshme, por me gjasë ekuipazhi bashkë me pasagjerët janë kapur në befasi.

“Ekupiazhi ka qenë duke bërë shërbimin e mëngjesit, shumë nga pasagjerët nuk i kanë pasur rripat e sigurimit të vënë,” tha piloti shqiptar.

Sipas z. Biçaku, avioni në vetvete është fleksibël dhe i përballon forcat që shkaktojnë turbulencat, një ndodhi e zakonshme për pilotët.

“Turbulencat shkaktohen nga rrymat e ajrit, temperaturat e ndryshme, presioni dhe shpejtësia me të cilën takohen. Ajri për avionët është si uji për anijet, i lëvizshëm. Zona ku avioni ka pësuar incidentin është e njohur për stuhi madhështore dhe turbulenca të tilla, por në këtë rast duket sikur janë kapur të papërgatitur,” u shpreh kapiteni për “Jetë shqiptare”.

Linja ajrore “Singapore Airlines” ka shprehur ngushëllimet për familjarët e të ndjerit dhe ka njoftuar se po punojnë “me autoritetet lokale në Tajlandë për të ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore” dhe kanë dërguar një ekip në Bangkok për të ofruar ndihmë shtesë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme