Irlanda, Norvegjia dhe Spanja do të njohin shtetin palestinez brenda javës së ardhshme

Botë | 3 vite më parë

Irlanda, Norvegjia dhe Spanja kanë njoftuar planet për të njohur një shtet palestinez deri më 28 maj.

Norvegjia ishte shteti i parë që bëri një hap të tillë, teksa kryeministri Jonas Gahr Store, tha se qëllimi është të arrihet një shtet që është “politikisht koheziv” dhe që rrjedh nga Autoriteti Palestinez.

“Norvegjia beson se një zgjidhje me dy shtete është në interesin më të mirë të Izraelit, dy shtete, që jetojnë krah për krah, në paqe dhe siguri. Masa e Norvegjisë do të hyjë në fuqi shpejt dhe Oslo do të njohë një shtet palestinez deri më 28 maj. Kjo dërgon një mesazh të fortë edhe për vendet e tjera që të ndjekin hapat e Norvegjisë”, u shpreh ai.

Vendimi i Norvegjisë u pasua më pas nga ai i Irlandës dhe Spanjës, që njoftuan po ashtu njohjen e një shteti palestinez në të njëjtën datë si vendi nordik, 28 maj.

“Ne do ta njohim Palestinën për shumë arsye dhe mund ta përmbledhim me tre fjalë, paqe, drejtësi dhe qëndrueshmëri. Ne duhet të sigurohemi që zgjidhja me dy shtete të respektohet dhe të ketë garanci reciproke të sigurisë. Është thelbësore që të dyja palët të negociojnë për paqen dhe është për këtë arsye që ne e njohim Palestinën”, tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Në Dublin, kryeministri irlandez, Simon Harris, tha se vendi beson se “paqja e përhershme mund të sigurohet vetëm mbi bazën e vullnetit të lirë të një populli të lirë”.

“Palestinezët në Gaza po durojnë më të tmerrshmet, vuajtjet, vështirësitë dhe urinë. Një katastrofë humanitare, e paimagjinueshme për shumicën po shpaloset në kohë reale“, theksoi ai.

Ministria e Jashtme e Izraelit paralajmëron se masa do të “ushqejë ekstremizmin dhe paqëndrueshmërinë”, ndërsa ka tërhequr të dërguarit e saj në Norvegji dhe Irlandë.

Të paktën 140 anëtarë të Kombeve të Bashkuara tashmë e njohin shtetësinë palestineze. Por të tjerët, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, nuk e njohin zyrtarisht një shtet palestinez./ BBC

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme