Vendimi i Norvegjisë, Irlandës dhe Spanjës, Hamasi dhe Palestina: Hap i rëndësishëm

Ministria e Jashtme palestineze dhe Hamasi kanë mirëpritur vendimin e Norvegjisë, Irlandës dhe Spanjës për njohjen e një shteti palestinez.
Ministria e Jashtme palestineze e konsideroi vendimin një hap të rëndësishëm .
“Me këtë hap të rëndësishëm, Spanja, Norvegjia dhe Irlanda kanë demonstruar edhe një herë përkushtimin e tyre të palëkundur ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe për dhënien e drejtësisë së vonuar për popullin palestinez. Më tej, njohjet e Spanjës, Norvegjisë dhe Irlandës, janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara, të cilat nga ana e tyre do të kontribuojnë pozitivisht në të gjitha përpjekjet ndërkombëtare drejt përfundimit të pushtimit ilegal izraelit dhe arritjes së paqes dhe stabilitetit në rajon“, thuhet në deklaratën e ministrisë palestineze.
Hamasi, i cili mori kontrollin e Rripit të Gazës në 2007, po ashtu e ka konsideruar vendimin e tre shteteve si një pikë kthese.
Në një deklaratë, Bassem Naim, një figurë e lartë e Hamasit, thotë se “rezistenca e guximshme” e popullit palestinez qëndron pas lëvizjes.
“Këto njohje të njëpasnjëshme janë rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj rezistence të guximshme dhe qëndrueshmërisë legjendare të popullit palestinez. Ne besojmë se kjo do të jetë një pikë kthese në pozicionin ndërkombëtar për çështjen palestineze“, thuhet në deklaratë.
Irlanda, Norvegjia dhe Spanja kanë njoftuar planet për të njohur një shtet palestinez deri më 28 maj./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




