Kryeministri polak premton të forcojë sigurinë në kufirin e BE-së me Bjellorusinë

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë të shtunën se Polonia do të fillojë punën për përforcimin e mëtejmë të tërë kufirit të vet lindor, pasi vendi po përballet me “luftë hibride” të emigrimit të jashtëligjshëm nga Bjellorusia.
Tusk nuk dha hollësi për veprimet e planifikuara, por shtoi se “kur bëhet fjalë për sigurinë e Polonisë, nuk ka limite”.
“Kufiri mes Polonisë dhe Bjellorusisë është vend i veçantë, për shkak të presionit nga emigrimi i jashtëligjshëm. Në fakt, ne kemi të bëjmë me një luftë hibride”, tha Tusk gjatë një takimi me ushtarë dhe roje kufitare.
“Nuk dua që të ketë dyshime këtu, një vend me qëllime tejet agresive karshi Polonisë, siç është Bjellorusia, është duke e bashkorganizuar këtë praktikë në kufirin polak”, shtoi ai.
Qeveria e kaluar polake dhe Bashkimi Evropian e akuzuan Bjellorusisë më 2021 se kishte nxitur një valë emigrantësh për t’i bërë trysni BE-së në lidhje me sanksionet e vendosura kundër Minskut.
Tentimet për kalimin e kufirit kanë vazhduar prej atëherë. Numri i emigrantëve që përpiqen ta kalojnë kufirin varet nga moti. Por, roja kufitare e Polonisë thotë se ka rreth 300 tentime në ditë për kalimin e kufirit jashtëligjshëm.
Marrëdhëniet e tensionuara mes fqinjëve janë rritur edhe më shumë prej se aleatja e Bjellorusisë, Rusia, e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
Qeveria e kaluar e ndërtoi një mur metalik në kufirin polako-bjellorus, i cili ishte 180 kilometra i gjatë dhe 5.5 metra i lartë, për t’u mbrojtur nga emigrimi i jashtëligjshëm. Ai është i pajisur me një sistem kamerash dhe sensorësh që vëzhgojnë kufirin.
Tusk tha se muret e reja do të ngrihen përgjatë “tërë kufirit lindor”, pra edhe përgjatë kufirit me Ukrainën dhe Rusinë, megjithëse ai nuk dha hollësi citon VOA.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




