Rezoluta-Presidenti Abbas përshëndet votën e OKB-së, Izraeli e dënon: Ndihmë për Hamasin

Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas ka përshëndetur votën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në favor të rishqyrtimit të anëtarësimit të plotë të Palestinës në OKB nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Ai falënderoi vendet që e mbështetën rezolutën, duke thënë se është kjo rezolutë “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe shpreh konsensusin ndërkombëtar në izolimin e okupimit dhe krimeve të tij dhe shkeljeve të rënda të legjitimitetit ndërkombëtar”.
Abbas shtoi se “në dritën e këtij votimi, Shteti i Palestinës do të vazhdojë përpjekjet e tij për të marrë anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara me një vendim të Këshillit të Sigurimit”.
Ai i bëri thirrje SHBA-së të tërheqë veton e saj dhe të mbështesë anëtarësimin e plotë të Autoritetit Palestinez në OKB.
Abbas theksoi se votimi i dha Autoritetit Palestinez të drejta shtesë brenda sistemit të OKB-së, por jo anëtarësimin e plotë, si një rivendosje të besimit në legjitimitetin dhe ligjin ndërkombëtar, vendimtar për paqen rajonale.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Israel Katz ka dënuar miratimin e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të rishqyrtojë anëtarësimin në OKB për Autoritetin Palestinez.
“Vendimi absurd i marrë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nënvizon njëanshmërinë strukturore të OKB-së dhe arsyet pse, nën udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres, ajo është kthyer në një institucion të parëndësishëm”, tha Katz.
Katz tha se vendimi do të ndërlikonte më tej negociatat rreth lirimit të pengjeve të mbajtura në Gazë.
Rezoluta i bën thirrje Këshillit të Sigurimit që të “rishqyrtojë çështjen në mënyrë të favorshme” dhe thekson që Autoriteti Palestinez t’i jepet anëtarësimi në OKB, duke thënë se “Shteti i Palestinës është i kualifikuar për anëtarësim në Kombet e Bashkuara”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




