Netanyahu: Izraeli nuk do të pranojë armëpushim nëse pengjet në Gaza nuk lirohen

Botë | 3 vite më parë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli është gati të arrijë një marrëveshje por me kusht sigurimin e lirimit të 130 pengjeve të mbajtura nga Hamasi. 

Ai shtoi se pavarësisht presionit ndërkombëtar në rritje, Izraeli nuk do të dorëzohej ndaj kërkesave “ekstreme” siç ai i konsideron të Hamasit, grupit militant që drejton Gazën.

“Nuk do të ketë armëpushim pa kthimin e pengjeve. Thjesht nuk do të ndodhë,” tha ai.

Netanyahu tha se sipas tij Hamasi shpresonte se presioni ndërkombëtar do ta bënte Izraelin të dorëzohej ndaj kërkesave të tij, por ai theksoi se kjo nuk do të ndodhte.

Komentet e tij, të bëra në fillim të një takimi javor të kabinetit, erdhën pasi një raund i ri i bisedimeve të armëpushimit në Egjipt do të nisë.

Ndërkohë ushtria izraelite ka tërhequr më shumë trupa tokësore nga Rripi jugor i Gazës, duke lënë atje vetëm një brigadë, gjashtë muaj pas fillimit të luftës së saj në Gaza.

Banorët palestinezë të qytetit jugor të Khan Younis, i cili është nën bombardimet izraelite muajt e fundit, thanë se kishin parë forcat izraelite të largoheshin nga qendra e qytetit dhe të tërhiqeshin në rrethet lindore.

Mbrëmjen e së shtunës në Tel Aviv dhe më gjerë pati një mobilizim të madh kundër Netanyahut, duke kërkuar dorëheqjen e tij, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme