Marrëveshje 10-vjecare për sigurinë, Finlanda do të japë edhe 188 milionë euro për Ukrainën

Botë | 3 vite më parë

Finlanda ka nënshkruar një pakt 10-vjeçar në fushën e sigurisë me Ukrainën, të cilës do t’i dërgojë ndihmë shtesë ushtarake në një vlerë prej 188 milionë euro, tha presidenti finlandez Alexander Stubb, pas një takimi në Kiev këtë të mërkurë me homologun e vet ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Finlanda do t’ia ofrojë Ukrainës edhe një pako tjetër me mjete mbrojtëse, mes tjerash edhe mjete të mbrojtjes ajrore dhe municion të kalibrit të lartë, tha Stubb në një konferencë të përbashkët për media me Zelenskyn në kryeqytetin ukrainas.

“Ne nuk po e japim këtë ndihmë ushtarake vetëm që Ukraina ta mbrojë veten, por po e japim këtë ndihmë ushtarake që Ukraina ta fitojë këtë luftë”, shtoi ai. Ai theksoi se pakoja e re do ta çojë në 2 miliardë euro shumën e përgjithshme të ndihmës ushtarake që Finlanda ia ka dhënë Ukrainës prej vitit 2022.

Ndërsa Zelenski tha se Finlanda është duke  bërë gati edhe një plan katërvjeçar për ta mbështetur Ukrainën me një buxhet për zhvillim dhe rindërtim, në vlerë 290 milionë euro. Finlanda ndan një kufi 1.340 kilometra të gjatë me Rusinë dhe iu bashkua NATO-s vitin e kaluar, duke i dhënë fund neutralitetit ushtarak për ta forcuar mbrojtjen kundër çfarëdo kërcënimi të mundshëm nga fqinji i vet gjigant.

Gazetar: A. Mata

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme