“Shërbimet ukrainase kanë dorë në sulmin terrorist të 22 Marsit,” thotë zyrtari rus

Europë | 3 vite më parë

Një sulm terrorist në rrethinat e Moskës muajin e kaluar mund të jetë dirigjuar nga shërbimet ukrainase, u shpreh të mërkurën sekretari Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolaj Patrushev.

144 persona mbetën të vrarë mbrëmjen e 22 marsit dhe mbi 500 të tjerë morën plagë të ndryshme pasi një grup militantësh hapën zjarr në korridoret dhe sallën e një koncerti të mbushur me spektatorë.

“Po mundohen të na thonë se akti terrorist nuk u krye nga Kievi, por nga mbështetës të ideologjisë radikale islamike dhe mundësisht nga pjesëtarë të degës afgane të ISIS-it. Megjithatë më shumë rëndësi ka që të përcaktojmë se kush e thuri dhe e sponsorizoi këtë krim të tmerrshëm. Gjurmët të çojnë të shërbimet inteligjente ukrainase. Gjithsesi të gjithë e dinë se regjimi i Kievit nuk është i pavarur dhe kontrollohet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara. Duhet pasur parasysh se ISIS-i dhe Al-Kaeda dhe grupet e tjera terroriste janë krijuar nga Uashingtoni,” deklaroi zyrtari i lartë në mbledhjen vjetore të zyrtarëve të lartë të sigurisë nga shtetet anëtare të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim.

Shërbimet ruse njoftuan të hënën arrestimin e katër personave të përfshirë në “financimin dhe furnizimin e terroristëve” të 22 Marsit, të gjithë nga rajoni jugor i Dagestanit. Deri tani 10 persona janë zyrtarisht të pandehur në lidhje me ngjarjen, e cila është marrë përsipër nga Shteti Islamik (ISIS).

Ukraina dhe Perëndimi kanë mohuar përfshirjen dhe kanë akuzuar Moskën se po e “shfrytëzon” tragjedinë. /TASS, AFP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme