Gjuetia për trofe, Bocvana “kërcënon” Gjermaninë me 20 mijë elefantë “dhuratë”

Presidenti i Bocvanës ka kërcënuar Gjermaninë se do i dërgojë 20 mijë elefantë “për të jetuar bashkë me ta” pas masave të paralajmëruara nga Berlini se do ndalojë importimin e gjitarëve trupmëdhenj të vrarë për qëllime sporti apo si trofe.
Ministria gjermane e Mjedisit njoftoi në fillim të vitit se ka rrezik që shumë elefantë po vriten për të shfrytëzuar dhëmbët e tyre prej fildishi.
Presidenti Mokueci Masisi (Mokgweetsi) deklaroi për gazetën gjermane “Bild” se një masë e tillë do e varfëronte më shumë popullin e tij.
Sipas kreut të shtetit afrikanojugor, numri i elefantëve është rritur jashtëzakonisht shumë si rezultat i përpjekje për konservimin e tyre dhe se gjuetia është një zgjidhje për t’i mbajtur nën kontroll.
“Gjermanët duhet të jetojnë me kafshët ashtu siç na thonë edhe neve. Nuk po tallem. Ne duam t’ua ofrojmë këtë dhuratë Gjermanisë,” u shpreh presidenti Masisi.
Bocvana është streha e rreth një të tretës së gjithë popullatës së elefantëve në botë – mbi 130 mijë të tillë. Zyrtarët e vendit janë ankuar se kafshët në tufa shkaktojnë dëme në prona, hanë të mbjellat e bujqve dhe shkelin për vdekje banorët e zonave.
Ndër vite, vendi i ka dhuruar rreth 8 mijë elefantë Angolës fqinje dhe 500 të tjerë Mozambikut, me qëllimin për të ulur numrin e tyre.
Gjermania konsiderohet shteti kryesor në BE që importon elefantët e vrarë nga gjuetarët si trofe, ndërkohë që Australia, Franca dhe Belgjika e kanë ndaluar tregtimin e tyre. /BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




