SHBA lejoi miratimin në OKB. Ekspertët shpjegojnë rezolutën për Gazën

Botë | 3 vite më parë

Pas disa përpjekjeve të dështuara gjatë pesë muajve të luftës shkatërruese të Izraelit në Gaza, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën rezolutën që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin qenë pengesa e vetme vendosën të mos e rrëzonin rezolutën, por vetëm të abstenonin.

Votimi erdhi si një tronditje për Izraelin, i cili pa aleatin e tij prej dekadash të abstenonte në vend të vendosjes së vetos  ndaj rezolutës siç ka bërë vazhdimisht gjatë viteve në mbështetjen e tij diplomatike të shtetit hebre.

Zyrtarët izraelitë e kritikuan rezolutën, duke thënë se nuk kanë ndërmend të ndalin luftën. Izraeli kritikoi gjuhën e rezolutës, duke thënë se ajo nuk e lidh armëpushimin me lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza.

Rezoluta kërkon “armëpushim dhe lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve”.

Javën e kaluar rezoluta e propozuar nga SHBA ra poshtë teksa kërkonte një armëpushim që lidhej drejtpërdrejt me lirimin e pengjeve.

Ndërsa SHBA thotë se rezoluta e fundit nuk është detyruese, ekspertët mendojnë se nuk është kështu.

Ata thonë se çelësi është në gjuhën e dokumentit të rezolutës.

A do të ketë ndikim rezoluta në terren në Gaza?

Izraeli ka reaguar me zemërim ndaj rezolutës, duke thënë se nuk ka ndërmend ta respektojë atë.

Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara Gilad Erdan kritikoi Këshillin e Sigurimit për miratimin e një mase që kërkonte një armëpushim të “pa kushtëzuar me lirimin e pengjeve”.

“Kjo minon përpjekjet për të siguruar lirimin e tyre,” tha ai në Kombet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm Israel Katz ndërkohë tha se vendi i tij nuk do t’i bindet rezolutës.

“Shteti i Izraelit nuk do të ndalojë luftën. Ne do të shkatërrojmë Hamasin dhe do të vazhdojmë të luftojmë derisa pengjet e fundit të kthehen në shtëpi”, tha Katz.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u hakmor për abstenimin e SHBA-së duke anuluar një udhëtim të planifikuar në SHBA nga dy nga këshilltarët e tij kryesorë.

Këshilltari izraelit për sigurinë kombëtare Tzachi Hanegbi dhe Ron Dermer, një anëtar i kabinetit të luftës, ishin planifikuar të udhëtonin në Uashington të hënën në mbrëmje për të diskutuar alternativat ndaj një ofensive të planifikuar izraelite në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Takimi ishte kërkuar nga presidenti amerikan Joe Biden.

“Në terren tani… mendoj se nuk ka asnjë efekt të menjëhershëm” tha Gabriela Shalev, ish-ambasadore izraelite në OKB dhe profesoreshë emeritus në fakultetin juridik të Universitetit Hebraik, ndërsa shtoi se  “sigurisht që ka një efekt moral dhe të përgjithshëm”

A është rezoluta e detyrueshme për Izraelin?

Pas miratimit të rezolutës, zyrtarët amerikanë bënë përpjekje të mëdha për të thënë se rezoluta nuk është detyruese.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha në mënyrë të përsëritur gjatë një konference për shtyp se rezoluta nuk është detyruese, përpara se të pranonte se detajet teknike i duhet të përcaktojnë avokatët ndërkombëtarë.

Në mënyrë të ngjashme, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë John Kirby dhe ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield insistuan veçmas se rezoluta nuk është detyruese.

Pas miratimit të rezolutës, ambasadori i Kinës në OKB Zhang Jun u kundërpërgjigj se rezoluta të tilla janë me të vërtetë detyruese, transmeton CNN.

Zëvendës zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq tha se rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë e drejtë ndërkombëtare, “kështu që në atë masë ato janë po aq të detyrueshme sa e drejta ndërkombëtare”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme