Bota mbështet Kejtin,  mesazhe solidariteti për Princeshën e Wellsit

Botë | 3 vite më parë

Video-mesazhi i Princeshës së Uellsit Kejt Midëllton, ku zbuloi se po trajtohej për tumor duket se i ka ndalur thashethemet dhe 42-vjeçarja ka marrë mesazhe mbështetjeje nga e gjithë bota. 

Mbreti Çarls, i cili kohët e fundit zbuloi betejën e tij me kancerin, tha se është shumë krenar për Princeshën Kejt dhe guximin e saj për të folur. 

Në një deklaratë Pallati Mbretëror thotë se Mbreti ka qenë në kontakt të ngushtë me nusen e djalit të tij gjatë javëve të fundit. 

Ndërsa djali i vogël i familjes mbretërore, Herri dhe bashkëshortja e tij Meghan i uruan shëndet dhe shërim të shpejtë Princeshës Kejt. “Shpresojmë që Kejt dhe familja e saj të kalojnë këtë situatë në privatësi dhe qetësi”. 

Vëllai i Kejt, Xhejms Midëllton ndau një fotografi nga fëmijëria e tyre. “Me kalimin e viteve ne kemi ngjitur shumë male së bashku. Si familje, edhe këtë do ta ngjisim bashkë me ju”.- thuhet në mesazhin e tij. 

Kryeministri i Britanisë Rishi Sunak bëri thirrje për privatësi për princeshën, në mënyrë që ajo të fokusohet në shëndetin e saj. “Ajo ka treguar një guxim të jashtëzakonshëm me deklaratën e saj. Javët e fundit ajo i është nënshtruar një mjekimi intensiv, ndërsa është trajtuar padrejtësisht nga disa media dhe rrjetet sociale në mbarë botën.”, u shpreh ai. 

Në mesazhin e presidentit amerikan Bajden thuhet se ai dhe bashkëshortja u bashkohen miliona njerëzve anembanë botës “Lutemi për shërimin e plotë të Princeshës Kate”shkruhet në mesazh. 

Presidenti i Francës tha se ai dhe bashkëshortja e tij, Brixhid i urojnë Princeshës së Uellsit shërim të plotë “Forca e saj është frymëzim për të gjithë” shkruan ata. 

“Mendimet e mia janë me Princeshën e Uellsit, fëmijët e saj dhe të gjithë familjen mbretërore” tha kryeministri i Kanadasë Xhastin Trudo. 

Një mesazh mbështetje për priceshën britanike u dërgua edhe nga presidenti shqiptar Bajram Begaj. “I urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë Princeshës Kejt. Le të shkëlqejnë forca dhe hiri i saj përmes kësaj sfide.” shkruan në mesazhin e tij presidenti shqiptar. 

Që nga janari ka patur spekulime të shumta mbi gjendjen e bashkëshortes së trashëgimtarit të fronit të Britanisë, por të gjitha mediat britanike të shtunën përcollën mesazhe mbështetjeje të kombinuara me kritika ndaj atyre që kishin spekuluar për shëndetin e saj.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme