Putin kërcënoi me përdorimin e armëve bërthamore, reagon SHBA: S’ka shenja për sulme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se nuk ka asnjë indikacion se Rusia do të përdorë armë bërthamore. Duke folur në kushte anonimiteti, një zyrtar amerikan ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë të dhënë se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.
Ky reagim i amerikanëve vjen pas kërcënimit të presidentit Vladimir Putin për një luftë bërthamore.
Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, Putin theksoi se Perëndimi rrezikon të shkaktojë “shkatërrimin e qytetërimit” nëse ndërhynte drejtpërdrejt në Ukrainë.
Putin i përshkroi Shtetet e Bashkuara se po kërkonin të shmangnin një konflikt të tillë, edhe pse ai paralajmëroi se Rusia ishte e përgatitur të përdorte armë bërthamore nëse kërcënohej “sovraniteti dhe pavarësia” e saj.
Putin kur u pyet nëse Uashingtoni dhe Moska po shkojnë drejt një përballjeje, ai theksoi se edhe pse Shtetet e Bashkuara po modernizonin forcën e tyre bërthamore, “kjo nuk do të thotë, sipas mendimit tim, se ata janë gati të fillojnë këtë luftë bërthamore që nesër”.
“Nëse ata e duan atë – çfarë mund të bëjmë ne? Ne jemi gati”, tha zoti Putin.
Në intervistë, Putin mohoi gjithashtu të ketë konsideruar përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë në Ukrainë në vjeshtën e vitit 2022, siç kanë pohuar zyrtarët e inteligjencës amerikane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




