Uashington- Suedia bëhet zyrtarisht anëtari i 32-të i NATO-s, Blinken dhe Kristersson firmosin dokumentin

Suedia iu bashkua zyrtarisht NATO-s në Uashington të enjten. Agresioni rus ndaj Ukrainës solli si rezultat rishikimin e politikave të sigurisë kombëtare nga ana e Suedisë, duke pasur parasysh garancitë e sigurisë që ofron Aleanca.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken kryesuan një ceremoni në të cilën “instrumenti i pranimit” i Suedisë në aleancë u depozitua zyrtarisht në Departamentin e Shtetit.
Shtëpia e Bardhë, përmes një deklarate, përpara fjalimit të Presidentit Joe Biden mbi gjendjen e vendit, tha se Suedia do t’i bashkohej aleancës ditën e sotme (e enjte).
Biden, në fjalimin e tij në Kongres, pritet të citojë pranimin e Suedisë në NATO si dëshmi se qëllimi i presidentit rus Vladimir Putin për të përçarë dhe dobësuar aleancën ka dështuar si rezultat i drejtpërdrejtë i pushtimit të Ukrainës. Dhe, presidenti demokrat pritet të përdorë vendimin e Suedisë për t’u bashkuar për të rritur thirrjet për republikanët ngurrues për të miratuar ndihmën e ngecur ushtarake për Ukrainën ndërsa lufta hyn në vitin e saj të tretë.
“Përfshirja e Suedisë në aleancën e NATO-s do t’i bëjë shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë më të sigurt”, thuhet në deklaratë.
Kristersson tha se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e kishte informuar se Suedia ishte ftuar zyrtarisht që të bëhej pjesë e Aleancës, pasi të gjithë vendet anëtare kishin miratuar protokollin e Suedisë për anëtarësim.
“Suedia do të jetë shumë shpejt vendi i 32 anëtar i NATO-s”, tha Kristersson përmes një postimi në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.
Qeveria suedeze njoftoi se do të merrte vendimin formal për të hyrë në NATO, të enjten.
Për NATO-n anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës, që ndajnë një vijë kufitare prej 1, 340 kilometrash me Rusinë, përfaqëson zgjerimin më domethënës të Aleancës për dekada të tëra.
Anëtarësimi paraqet gjithashtu një goditje për Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili ka synuar të pengojë forcimin e mëtejshëm të Aleancës.
Suedia do të mund të përfitojë nga garancitë e Aleancës për mbrojtjen të përbashkët, sipas parimit, sulmi ndaj një vendi anëtar, cilësohet si sulm ndaj të gjithë NATO-s.
“Duhet të përballemi me botën siç është dhe jo siç do të donim të ishte”, tha Kristersson, pasi Hungaria u bë vendi i fundit anëtar i NATO-s që ratifikoi protokollin e Suedisë për anëtarësim, javën e kaluar.
Anëtarësimi i Suedisë sjell në Aleancë burime të rëndësishme, nëndetëset e fjalës së fundit dhe një flotë të konsiderueshme me avionë ushtarakë Gripen të prodhimit suedez.
Rusia ka kërcënuar se do të ndërmarrë “masa politike dhe ushtarako-teknike” në përgjigje të këtij akti të Suedisë, por pa dhënë detaje se cilat do të jenë këto hapa.
Stokholmi hoqi dorë nga politika e neutralitetit pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022.
Anëtarësimi i saj vjen pasi vitin e kaluar, Aleancës, ia bashkua Finlanda.
Suedia, ndryshe Finlanda, u përball me vonesa, për shkak të Turqisë dhe Hungarisë, dy shtete që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me Rusinë, të cilat vonuan ratifikimin e protokollit për anëtarësim.
Turqia e miratoi kërkesën e Suedisë në janar.
Hungaria e vonoi miratimin deri sa Kristersson vizitoi Budapestin në 23 shkurt, ku dy vendet ranë dakord për një marrëveshje në fushën e mbrojtjes. Reuters
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




