Rusia akuzon Perëndimin për ndërhyrje, kërcënon me dëbimin e gazetarëve gjermanë

Botë | 3 vite më parë

Rusia ka akuzuar ambasadorët perëndimorë se po ndërhyjnë në punët e saj të brendshme dhe ka paralajmëruar se do të dëbojë gazetarët gjermanë nga vendi nëse Berlini vendos të dëbojë gazetarët rusë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakarova (o. Zakharova) iu përgjigj të martën medieve lokale për tensionet midis Rusisë dhe Gjermanisë pas publikimit të një incizimi zanor ku supozohet që zyrtarë të ushtrisë gjermane po diskutonin për armatimin e Ukrainës dhe objektivat e mundshëm rusë.

Rusia tha se kjo vërteton që vendet perëndimore planifikojnë të godasin Rusinë dhe tha që ajo kishte thirrur ambasadorin e Gjermanisë në Moskë për të shpjeguar përmbajtjen e incizimit. Berlini ka mohuar thirrjen e diplomatit të vet, duke thënë se takimi ishte i planifikuar paraprakisht.

“Ata ia kushtojnë gjithë kohën – dua të them pjesa perëndimore e ambasadorëve, ambasadorët e vendeve perëndimore, NATO – vetëm një gjëje… Ata janë të angazhuar, së pari, në ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit tonë,” tha zëdhënësja Zakarova, sipas RIA Novosti.

Komentet e saj erdhën pasi ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, tha të hënën se ambasadorët e BE-së kishin refuzuar ta takonin përpara zgjedhjeve presidenciale në Rusi më 15–17 mars.

Znj. Zakarova gjithashtu tha që Rusia do të dëbojë gazetarët gjermanë që punojnë në vend nëse Berlini vendosi “të prekë” gazetarët rusë. Ajo pretendon se Gjermania do t’i dëbojë gazetarët rusë, duke mos i rinovuar vizat dhe akreditimin për të punuar në vend.

“Unë dua të them se ata tashmë e dinë këtë përmes kanaleve diplomatike në Berlin – nëse prekin korrespondentët rusë dhe i çojnë deri në fund planet e tyre, atëherë gazetarët gjermanë do të largohen nga Rusia,” tha ajo. /CNBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme