Sulmet në Detin e Kuq, rebelët jemenas thonë se do fundosin anije të tjera britanike

Rebelët huthi me bazë në Jemen, që mbështeten nga Irani, njoftuan se do të vazhdojnë të sulmojnë anijet britanike në Gjirin e Adenit pas fundosjes së anijes “Rubimar” në pronësi të Mbretërisë së Bashkuar.
Ushtria amerikane konfirmoi të shtunën fundosjen e mjetit lundrues, pasi më 18 shkurt u godit nga një raketë balistike e lëshuar nga militantët e armatosur.
“Jemeni do të vazhdojë të fundosë më shumë anije britanike për të dëmtuar Mbretërinë e Bashkuar,” deklaruan autoritetet jemenase të qeverisë që drejtohet nga forcat huthi.
Ata akuzuan Britaninë se është një shtet mashtrues që përveçse sulmon vendin e tyre, së bashku me Shtetet e Bashkuara mbështesin krimet kundër civilëve në Gazë.
Komanda Qendrore Amerikane tha se huthit janë një kërcënim i shtuar për aktivitetet detare globale. Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e koalicionit janë të përkushtuar për të mbrojtur lirinë e lundrimit dhe për të garantuar sigurinë e transportit në ujërat ndërkombëtare.
Rebelët huthi me bazë në Jemen kanë nisur sulmet ndaj anijeve tregtare që nga nëntori i vitit të kaluar në përgjigje të luftës së Izraelit në Gazë.
Gjatë shkurtit rebelët jemenas pasi sulmuan anijen “Rubimar” rrëzuan edhe një dron amerikan, megjithëse SHBA prej më shumë se një muaji drejton sulmet ajrore ndaj militantëve të armatosur jemenas.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




