Mijëra doktorë në Korenë e Jugut dalin në protesta kundër planeve të qeverisë

Botë | 3 vite më parë

Mijëra mjekë në Korenë e Jugut dolën të dielën në rrugët e Seulit për të protestuar ndaj planeve të qeverisë për të rritur pranimet në shkollat e mjekësisë dhe ndaj mungesës së mbështetjes për sistemin mjekësor të vendit.

Mjekët thonë se qeveria duhet të trajtojë një gamë më të gjerë sfidash me të cilat përballet sistemi i kujdesit shëndetësor sesa numri i mjekëve të trajnuar në vit.

Shqetësimet e tyre përfshijnë shtimin e stafit në fusha specifike dhe çmimin që paguan qeveria për trajtimet thelbësore mjekësore, si dhe krijimin e infrastrukturës së duhur për edukimin e një numri më të madh studentësh të mjekësisë.

Plani i qeverisë, i shpallur në shkurt, do të rrisë me 2 mijë numrin e studentëve që pranohen në shkollat e mjekësisë duke filluar nga viti akademik 2025, duke e çuar totalin në 5 mijë në vit.

Mjekët praktikantë janë gjithashtu të zemëruar për kushtet e vështira të punës prej pagave të ulëta dhe orëve të gjata.

Rreth 8 mijë mjekë praktikantë në Korenë e Jugut filluan grevën më 21 shkurt duke dhënë dorëheqjen. Që atëherë, 1 mijë të tjerë janë dorëhequr.

Qeveria pretendon se masat e saj janë për një ndryshim në kujdesin shëndetësor teksa shoqëria po plaket me ritmet më të shpejta në botë dhe për të rritur aksesin në zonat rurale.

Të martën, presidenti i Koresë së Jugut, Jun Suk Jeol (o. Yoon Suk Yeol) tha se qeveria e tij nuk do të tërhiqet nga planet.

“Mbrojtja e qytetarëve, si fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara është e lidhur drejtpërdrejt me politikën thelbësore të qeverisë për mirëqenien e popullatave të rrezikuara prej kujdesit shëndetësor. Prandaj, kjo [reformë mjekësore] nuk është çështje negociatash apo kompromisi,” tha ai në një konferencë për shtyp.

Sipas një sondazhi të fundit të Gallup, 76% e të anketuarve favorizonin shtimin e pranimeve në shkollat mjekësore.

Të enjten, qeveria lëshoi një urdhër për kthimin në punë, duke paralajmëruar mjekët grevistë që licensat e tyre mjekësore mund të pezullohen nëse ata nuk binden. /CNN

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme