Papa Françesku bën thirrje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit

Botë | 3 vite më parë

Papa Françesku bëri thirrje të dielën për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.

Ati i Shenjtë theksoi pasojat e konfliktit te fëmijët dhe kërkoi lirimin e të gjithë pengjeve të marra në sulmin e Hamasit më 7 tetor.

“A mendoni vërtet se mund të ndërtoni një botë më të mirë në këtë mënyrë? A mendoni vërtet se do të arrini paqen? Mjaft ju lutem! Le të themi të gjithë mjaft Ndaloni!” u shpreh Papa para mijëra të pranishmëve që ndoqën meshën në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke shtuar se çarmatimi është një detyrim moral.

Fjalimi i Atit të Shenjtë vjen ndërsa Egjipti pret të dërguarit e Izraelit dhe Hamasit për të biseduar rreth një marrëveshjeje armëpushimi.

Të dërguarit nga SHBA, Katari dhe Hamasi ndodhen në Kajro, ku raportohet se Izraeli po kërkon siguri për fatin e pengjeve përpara se bëhet pjesë e bisedimeve.

BBC ka cituar mediet izraelite që thonë se Izraeli nuk do të marrë pjesë në takim, pasi Hamasi refuzon të thotë sa pengje janë ende gjallë.

Të shtunën, një zyrtar i lartë amerikan tha se Izraeli e ka “pranuar kornizën” për një marrëveshje armëpushimi 6-javore.

Ndërsa Hamasi raportohet të ketë thënë se një pakt mund të arrihet brenda 24 deri në 48 orëve të ardhshme, por varej nga Izraeli nëse do t’i pranonte kërkesat e tij.

Sipas medieve në Egjipt, grupi militant palestinez kërkon tërheqjen ushtarake nga Gaza dhe shtimin e ndihmës humanitare.

Shtetet e Bashkuara thonë se një ndalim 6-javor i luftimeve do të sillte lirimin e më shumë pengjeve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë.

Të gjitha palët po përpiqen të bien dakord për një armëpushim përpara nisjes së muajit të Ramazanit më 10 mars. 

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme