Aplikimet për azil në BE arrijnë nivelin më të lartë që nga kriza e viteve 2015–16

Europë | 3 vite më parë

Aplikimet për azil në Bashkimin Evropian u rritën me 18% në 1,14 milion në vitin 2023, niveli më i lartë që nga kriza e emigrantëve e 2015–2016.

Të dhënat nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA) treguan të mërkurën se sirianët dhe afganët mbeten grupet më të mëdha të aplikantëve. Shtetasit turq përbënin grupin e tretë më të madh të aplikantëve, duke paraqitur 82% më shumë aplikime sesa vitin e kaluar.

Numri i palestinezëve që aplikuan për azil arriti rekordin prej afro 11.600 në vazhdën e luftës Izrael–Hamas, edhe pse numri është i vështirë të regjistrohet saktë, pasi shumë vende anëtare të BE-së nuk e njohin shtetin e Palestinës.

Gjermania ishte edhe një herë destinacioni kryesor i azilkërkuesve në BE, duke marrë gati një të tretën e të gjitha aplikimeve, ndërsa Qipro mori aplikimet më të shumta në terma relativë – një për 78 banorë.

Ndërsa kërkesat për azil të vitit 2023 janë pak më pak se nivelet e vitit 2016, ato u shtohen 4,4 milionë ukrainasve që kanë kërkuar strehim në Bashkimin Evropian nga pushtimi rus – dhe nuk kanë nevojë të aplikojnë zyrtarisht.

Bashkimi Evropian ka forcuar kufijtë e jashtëm dhe ligjet për azilin që nga kriza e viteve 2015–2016, dhe ka arritur marrëveshje në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut që të strehojë më shumë njerëz atje.

Blloku gjithashtu arriti një marrëveshje të rëndësishme në dhjetor mbi rregullat e reja të krijuara për të ndarë koston dhe punën e pritjes së emigrantëve në mënyrë më të barabartë dhe për të kufizuar numrin e hyrjeve. /Reuters

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme