Ukraina thotë se Rusia po rrit numrin e ushtarëve në lindje

Rusia po rrit numrin e ushtarëve në lindje të Ukrainës përderisa po përqendron përpjekjet e saj për të kryer ofensivë në këtë rajon, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 27 shkurt, teksa forcat ukrainase dhe ruse po vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje dhe verilindje të shtetit.
“Sipas informacioneve të qasshme, deri në 200 rekrutë nga rajoni Rostov janë transferuar përkohësisht në territorin e pushtuar në rajonin e Luhanskut”, u tha në deklaratën e ushtrisë ukrainase.
Shtabi i Përgjithshëm shtoi se gjatë ditës, Rusia ka kryer 12 sulme me dronët iranianë dhe mbi 55 sulme me raketa.
“Kërcënimi nga sulmet raketore është i lartë në mbarë territorin e Ukrainës”, tha ushtria.
Më herët gjatë së hënës, dy punëtorë të shpëtimit u vranë nga sulmet ruse në perëndim të Ukrainës, njoftuan autoritetet lokale, teksa në gjithë Ukrainën u lëshuan alarme paralajmëruese për sulme ajrore në kohën kur Rusia po kryente sulme me dronë të prodhimit iranian.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha po ashtu se gjatë natës ka arritur të rrëzojë 11 nga 14 dronët e lëshuar nga Rusia.
Sipas autoriteteve ushtarake, në 24 orët e fundit trupat ruse kanë kryer 81 operacione ofensive kundër mbrojtësve ukrainas në Bahmut, Avdijvka dhe Shahtarsk në rajonin e Donjeckut dhe në Kupjansk në rajonin e Harkivit./rel/
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




