Ish-presidenti rus: Furnizimi me armë i Kievit rrezikon një katastrofë bërthamore globale

Botë | 4 vite më parë

“Furnizimi i vazhdueshëm me armë i Kievit rrezikon një katastrofë bërthamore globale”, kështu ka deklaruar ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev për gazetën ruse, “Izvestia”, ndërsa shton se në të kundërt, mosfurnizimi do të hapte mundësinë për negociata mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Armiqtë tanë po bëjnë pikërisht këtë, duke mos dashur të kuptojnë se qëllimet e tyre me siguri do të çojnë në një fiasko totale. Humbje për të gjithë. Një kolaps. Apokalips. Aty ku harron me shekuj jetën tuaj të mëparshme, derisa rrënojat të pushojnë së lëshuari rrezatim, ” tha Medvedev.

Retorika e aleatit të Putinit është parë si një përpjekje për të penguar aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA dhe aleatët perëndimorë të Kievit që të përfshihen edhe më shumë në luftë. Javën e kaluar, Vladimir Putin deklaroi se Moska po pezullonte pjesëmarrjen e saj në një traktat kyç bërthamor me SHBA-në, i cili kufizon arsenalet strategjike bërthamore të dy palëve.

Traktati i Ri START kufizon numrin e armëve bërthamore që SHBA dhe Rusia mund të përdorin gjatë luftës. Sipas marrëveshjes, Moska dhe Uashingtoni angazhohen të vendosin jo më shumë se 1550 armë bërthamore strategjike dhe maksimumi 700 raketa dhe bombardues me rreze të gjatë veprimi.

Putin ka deklaruar se Rusia nuk mund të pranojë inspektimet e SHBA-së në vendet e saj bërthamore sipas paktit, ndërsa Uashingtoni dhe aleatët e tij në NATO kërkojnë humbjen e Rusisë në Ukrainë.

Vendet perendimore i kanë ardhur në ndihmë Ukrainës, duke dërguar armë të ndryshme ushtarake, me qëllim mbrojtjen dhe fitoren ndaj trupave ruse që sulmuan vendin, një vit më parë. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme