Sunak takohet sot me Von der Leyen, Britani-BE bisedime finale për marrëveshjen pas Brexit

Botë | 4 vite më parë

Britania e Madhe dhe BE pritet të arrijnë marrëveshjen e re për Irlandën Veriore. Gjatë kësaj të hëne (27 shkurt), Kryeministri britanik Rishi Sunak do të takohet me shefen e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, me të cilën do të zhvillojë bisedimet finale për një marrëveshje të re pas Brexit-it. Mbretëria e Bashkuar dëshiron që të ndryshojë marrëveshjen aktuale, e cila parasheh kontrollimin e disa mallrave kur ato hyjnë në Irlandën Veriore nga pjesë të tjera të Britanisë së Madhe.

Nëse Sunak dhe Von der Leyen bien dakord, dyshja do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp ku do të njoftojnë për marrëveshjen e re. Marrëveshja e ashtuquajtur Protokolli i Irlandës Veriore, është nënshkruar nën udhëheqjen e ish-kryeministrit britanik, Boris Johnson, teksa Mbretëria e Bashkuar është larguar nga Bashkimi Evropian, raporton BBC.

Protokolli i Irlandës së Veriut është një marrëveshje tregtare , e negociuar gjatë bisedimeve të Brexit, që u fut në fuqi në fillim të vitit 2021. Ai lejon që mallrat të transportohen pa probleme përtej kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës pa kontrolle. Para se të ndodhte Brexit, kjo ishte e thjeshtë sepse të dyja palët ndiqnin të njëjtat rregulla të BE-së.

Por pasi Britania e Madhe u largua nga BE-ja, nevojiteshin marrëveshje të veçanta tregtare sepse Irlanda e Veriut kufizohet me Republikën e Irlandës, e cila mbetet pjesë e BE-së.  Kjo u bë pika kryesore penguese e negociatave të Brexit midis MB dhe BE. BE-ja ka rregulla strikte ushqimore dhe kërkon kontrolle kufitare kur disa mallra si qumështi dhe vezët, mbërrijnë nga vende jo anëtare të BE-së. Pra, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja nënshkruan Protokollin si pjesë e marrëveshjes së tërheqjes së Brexit për të mbrojtur marrëveshjen e paqes të Irlandës së Veriut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme