“After School”, një nismë pozitive, Kushi nga Pogradeci: Siguria e fëmijëve në shkollë, fokusi kryesor

Nënkryetarja e Kuvendit, Evis Kushi, ishte në Pogradec në kuadër të punës së Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku zhvilloi një takim me stafin dhe nxënësit e gjimnazit të qytetit.
Gjatë takimit u diskutua për sigurinë në shkolla, problematikat me të cilat përballen nxënësit, si dhe bashkëpunimin mes institucioneve për garantimin e një mjedisi të sigurt.
Kushi tha se një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga mësuesit dhe prindërit lidhet me sigurinë online dhe rreziqet që u vijnë nxënësve nga rrjetet sociale.
“Shqetësim i jashtëzakonshëm i mësuesve, por edhe i prindërve, është rreziku apo rreziqet që u vijnë nxënësve, veçanërisht nga rrjetet sociale apo në përgjithësi nga rrjetet online”, u shpreh Kushi.
Sipas saj, kjo përbën një sfidë për shkollat, pasi jo të gjitha problematikat që lidhen me aktivitetin online të nxënësve mund të identifikohen dhe parandalohen në kohë.
“Kjo është sfida: se si të bëhemi bashkë dhe t’i parandalojmë këto rreziqe që vijnë nga këto burime që janë shumë të vështira që t’i identifikosh dhe t’i parandalosh në kohë”, tha ajo.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për masat e sigurisë në shkolla, përfshirë vendosjen e kamerave, si dhe për bashkëpunimin me Policinë, Bashkinë dhe institucionet e tjera.
Kushi u ndal edhe te programi “After School”, duke e cilësuar si një nga nismat që synon t’u mundësojë nxënësve qëndrimin në ambientet e shkollës edhe pas përfundimit të orarit mësimor, për aktivitete artistike, sportive, zeje dhe veprimtari të tjera jashtëkurrikulare.
Ajo tha se programi ka nisur në shkollat që plotësojnë kushtet infrastrukturore, ndërsa synimi është shtrirja e tij në të gjitha shkollat.
Fjala e plotë e nënkryetares Evis Kushi:
Ju falënderojmë shumë që pritët kaq gjatë pas këtij takimi. Ne jemi këtu në kuadër të punës së Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. I gjithë komisioni sot ndodhet këtu në Pogradec. Jemi ndarë në grupe pune: disa janë pranë doganës, disa të tjerë janë për sigurinë ushqimore, në Bashkinë e Pogradecit.
Ndërsa ne, së bashku me kolegët Erion Mile dhe Antoneta Dhima, si dhe me deputetin e zonës këtu Bledi Çomo e me komisioneren për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, ishim për një bashkëbisedim me me stafin e shkollës, por dhe nxënësit këtu në gjimnazin e Pogradecit, me një temë specifike që është siguria në shkolla.
Dëgjuam nga afër mendimet e të gjithëve, shqetësimet e tyre dhe propozimet e tyre pikërisht për këtë tematikë, sigurinë e fëmijëve tanë në shkolla. Natyrisht që kur flasim për shkollat, kur flasim për arsimin, vëmendja jonë është arsimi cilësor, arsim gjithëpërfshirës, arsim i barabartë, por ajo që kërkojnë prindërit dhe i gjithë komuniteti në radhë të parë është siguria e fëmijëve.
Dhe për këtë ne folëm ngushtësisht dhe morëm mendime dhe nga oficerët e sigurisë, nga punonjësit e shërbimit psiko-social, nga mësuesit ndihmës, nga drejtoria e shkollës. Folëm për bashkëpunimin që kanë edhe me institucionet e tjera, me Drejtorinë e Policisë, me Bashkinë e qytetit dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese.
Me sa pamë këtu, gjërat funksionojnë shumë mirë. Pamë një ekip shumë të përkushtuar, edhe nxënës gjithashtu shumë të talentuar, por natyrisht që punë ka akoma. Dhe ne jemi këtu pikërisht për këtë: që t’i dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe këto shqetësime e propozime që kanë për t’i zgjidhur problematikat, t’i adresojmë nëpërmjet punës së komisionit.
Të jeni të sigurt që të gjitha vendimet që janë marrë, përfshirë këtu dhe kamerat, janë në funksion të sigurisë së nxënësve. Ky është qëllimi primar dhe është një vendimmarrje që është pritur jashtëzakonisht mirë nga prindërit në radhë të parë, por padyshim edhe nga stafi i shkollës.
Do të respektohen të gjitha rregullat siç i kanë me protokolle edhe vendet e tjera, siç janë standardet më të mira edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Sot ju mund të keni pyetje nga më të ndryshmet, po këtu ne jemi për sigurinë e nxënësve në shkolla. Dhe do t’ju lutesha ta fokusonim diskutimin këtu. Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa siguria e nxënësve, siguria e fëmijëve tanë në shkolla.
After school apo programi pas shkolle është një nga nismat më pozitive sepse ka qenë kërkesë e vazhdueshme e prindërve që nxënësit pas orarit mësimor të vazhdojnë të qëndrojnë në mjediset e shkollave edhe për aktivitete që lidhen me artin, me zejet, me aktivitetet sportive apo aktivitete të tjera jashtëkurrikulare.
Janë një mbështetje e jashtëzakonshme dhe gjithashtu edhe ky vendim është pritur shumë mirë jo vetëm nga prindërit, por dhe nga stafet që gjithashtu janë të përkushtuara për ta realizuar me sukses këtë vendimmarrje.
Natyrisht që është e pamundur që të zbatohet menjëherë në të gjitha shkollat, por janë përzgjedhur në çdo bashki shkolla që i plotësojnë kushtet infrastrukturore për momentin. Por qëllimi dhe objektivi është që ky projekt të shtrihet në të gjitha shkollat.
Tani unë nuk dua të flas këtu si ministre e Arsimit, sepse… pra jo, nuk më ka marrë malli! Për shkollat sigurisht që më merr malli gjithmonë, për mësuesit, për nxënësit, por i takoj. Kështu që nuk dua të flas këtu… Këtu jemi në kuadër të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen Institucionale — pra nismat qytetare, bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen institucionale. Dhe pjesë e punës tonë është pikërisht kjo: që të dëgjojmë, të mbikëqyrim, të marrim shqetësimet dhe t’i adresojmë tek ministria.
Atëherë po ju jap shqetësimet që sapo i dëgjuam, që lidhen me sigurinë online. Pra shqetësim i jashtëzakonshëm i mësuesve, po edhe i prindërve, është rreziku apo rreziqet që i vijnë nxënësve, veçanërisht nga rrjetet sociale apo në përgjithësi nga rrjetet online.
Ky ishte një shqetësim që u ngrit. Natyrisht që shkolla ka për qëllim edhe t’i parandalojë shumë problematika, shumë incidente, po ka disa problematika që është shumë e vështirë t’i identifikosh. Se një pjesë ne i shohim, ato që janë probleme edhe konflikte fizike mes nxënësve, po janë disa që shkolla e ka të pamundur pra është pikërisht kjo pjesa që qarkullon në rrjetet sociale, dhe kjo është sfida.
Kjo është sfida: se si të bëhemi bashkë dhe t’i parandalojmë këto rreziqe që vijnë nga këto burime që janë shumë të vështira që ti t’i identifikosh dhe t’i parandalosh në kohë.Pra ky ka qenë një shqetësim.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




