Aksident në autostradën Levan-Tepelenë, dy të plagosur
Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të shtune në autostradën Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur Fratar, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, ndërsa përplasja ka qenë e fortë, duke lënë të plagosur të dy drejtuesit e mjeteve. Menjëherë pas aksidentit, ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në aksident. Ndërkohë, është punuar edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë aks rrugor.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shpejtësia e lartë dhe lagështira në rrugë kanë qenë faktorë që mund të kenë ndikuar në përplasjen e mjeteve. Megjithatë, shkaku i saktë i aksidentit pritet të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve.
Policia vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




