Aktakuza ndaj Shehollit/ Dokumenti “Leptiri”, plani serb për komprometimin dhe rekrutimin e Kurtit

Kosovë | 2 muaj më parë

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se në telefonin e sekuestruar të Fatmir Shehollit është gjetur një dokument i titulluar “Leptiri”, i cili, sipas aktakuzës, përmban një plan operativ të strukturave të Sigurimit Shtetëror të Serbisë për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet serbe.

Sipas Prokurorisë, dokumenti daton nga viti 2001 dhe parashikonte përdorimin e një burimi me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese ndaj Kurtit, me synim ushtrimin e presionit për bashkëpunim me strukturat e RDB-së.

Dokumenti, i siguruar nga RTK, që sipas aktakuzës ishte nënshkruar nga shefi i Sektorit III të Sigurimit Shtetëror serb, është gjetur në një iPhone të sekuestruar Shehollit. Gjatë deklarimit para Prokurorisë, Sheholli ka thënë se dokumenti i ishte dërguar nga Bojan Dimiç, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të BIA-s.

Aktakuza pretendon se dokumenti më pas është shpërndarë te persona të tjerë dhe se Sheholli kishte kërkuar edhe përkthimin e tij nga serbishtja në shqip. Sipas Prokurorisë, këto komunikime janë të rëndësishme për të dëshmuar kontaktet e Shehollit me persona të lidhur me strukturat serbe të sigurisë.

Në aktakuzë përmenden edhe komunikime të tjera, përfshirë ato të dhjetorit 2024 me një person të identifikuar si Viktor Petrushevski, përmes të cilave, sipas Prokurorisë, Sheholli kishte organizuar një takim me Bojan Dimiçin. Takimi pretendohet se është zhvilluar më 25 dhjetor 2024.

Të gjitha këto materiale janë përfshirë nga Prokuroria Speciale në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për spiunazh dhe shantazh. Pretendimet e aktakuzës përbëjnë akuza të Prokurorisë dhe do të vlerësohen nga gjykata gjatë procesit gjyqësor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme