Aleksei Navalni do të varroset të premten në Moskë, gruaja e ve: Mund të ketë arrestime

Aleksei Navalni do të varroset në një varrezë në Moskë të premten (1 mars).
Lajmi u konfirmua nga gruaja e ve e opozitarit, Julia Navalnaja (Yulia Navalnaya). Duke folur para eurodeputetëve në Parlamentit Europian, ajo tha se i druhet trazirave dhe arrestimeve gjatë ceremonialit mortor.
“Nuk jam e sigurt a do të jetë paqësor apo nëse do të ketë arrestime nga policia për ata që do jenë aty për t’i dhënë lamtumirën burrit tim,” tha znj. Navalnaja.
Ajo akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, si liderin e një bande kriminale të organizuar dhe përgjegjësin për vrasjen e bashkëshortit të saj.
“Ju nuk keni përballë një politikan, por një gangster gjakatar,” tha e veja e opozitarit të ndjerë.
Funerali raportohet se do të mbahet në varrezat e Borisovskojës, pas ceremonisë mortore në rrethin Marino.
Navalni vdiq papritur në një burg të Arktikut në fillim të muajit. Për vite, ai ishte kritiku më i ashpër i presidentit Putin. E veja e Navalnit, si dhe disa liderë botërorë, kanë fajësuar presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e tij.
Pak detaje janë dhënë për shkakun e vdekjes së tij dhe autoritetet ruse fillimisht refuzuan t’ia dorëzonin trupin e Navalnit nënës së tij Ljudmila. Trupi u tërhoq tetë ditë pas vdekjes së tij.
Të martën, zëdhënësja e Navalnit, Kira Jarmish (Yarmish) tha se ekipi i tij po përpiqej të gjente diku për të mbajtur ceremoninë – disa shtëpi funerale kishin pretenduar se ishin rezervuar plotësisht, tha ajo, ndërsa të tjerët kishin refuzuar kur morën vesh se për kë ishte ngjarja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




