Arkeologët zbulojnë një specie të re të paraardhësve të lashtë të njeriut

Kuriozitete | 1 vit më parë

Arkeologët kanë bërë një gjetje të jashtëzakonshme në Etiopi, që mund të ndihmojë në rishikimin e historisë së evolucionit njerëzor. Zbulimi i fosileve dhëmbore sugjeron se dy grupe të ndryshme paraardhësish të njeriut, Australopiteku dhe Homo, kanë jetuar në të njëjtën kohë, rreth 2,6 deri 2,8 milion vjet më parë.

Ky zbulim tregon se teoritë e mëparshme që sugjeronin se Homo u shfaq pas Australopitekut nuk qëndron dhe se evolucioni ka qenë një kompleks në zhvillimin e njerëzimit. Shkencëtarët tani mendojnë se këto dy grupe mund të kenë bashkëjetuar dhe ndoshta kanë pasur ndërveprime me njëri-tjetrin.

Zbulimi është edhe më interesant pasi tregon se një nga speciet e zbuluara të Australopitekut mund të jetë një lloj që nuk ishte njohur më parë. Kjo ndihmon për të kuptuar se evolucioni njerëzor nuk është një proces linear, por një rrjet me shumë degëzime.

“Ky hulumtim i ri tregon se imazhi që shumë prej nesh kanë në mendjet tona për një majmun, një neandertal dhe pastaj një njeri modern nuk është i saktë, evolucioni nuk funksionon kështu. Këtu kemi dy lloje homininësh që janë së bashku. Dhe evolucioni njerëzor nuk është linear, është një pemë e dendur, ka forma jete që zhduken”, tha bashkautorja e studimit Kaye Reed, që u botua në revistën Nature.

Speciet Australopithecus ecnin drejt si njerëzit modernë, por kishin tru relativisht të vogël, të përafërt në madhësi me atë të majmunëve. Shfaqja e specieve Homo, me trurin e tyre më të madh, nga studiuesit sot shihet si një lloj përmirësimi evolucionar në rrugën drejt njerëzimit modern. Por bashkëjetesa e të dyjave tregon se homininët u zhvilluan dhe jetuan njëkohësisht shumë lloje.

“Ajo që është më e rëndësishme është se kjo tregon përsëri se evolucioni njerëzor nuk është linear. Kishte specie që u zhdukën; disa u përshtatën më mirë se të tjerat, dhe të tjera u kryqëzuan me ne – ne e dimë këtë me siguri për Neandertalët. Pra, sa herë që kemi një pjesë tjetër të enigmës se nga kemi ardhur, është e rëndësishme”, tha Reed.

Dhëmbët u gjetën në rajonin Afar të Etiopisë, një vend kyç për studiuesit që kërkojnë përgjigje rreth evolucionit njerëzor. Rajoni Afar është një mjedis aktiv i çarjeve të pllakave tektonike që hedhin dritë mbi pothuajse 5 milionë vjet evolucion.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme