Arrestohet tregtari tajlandez i drogës me “fytyrë” koreane

Pas tre muajve në kërkim, policia në Taljandë ka mundur të arrestojë një tregtar tajlandez të drogës, i cili për t’iu shmangur ligjit kishte kryer disa operacione plastike në fytyrë për t’u dukur si një burrë “simpatik” korean, njofton BBC.
25-vjeçari, Saharat Sawangjaeng, i cili kishte ndryshuar edhe emrin në Seong Jimin, u kap javën e kaluar në një godinë në Bangkok, ndërsa policia ishte duke gjurmuar shpërndarjen e ekstazisë tek shitësit dhe blerësit e tjerë.
Në një video të arrestimit të siguruar nga policia, Saharat argumentoi se donte të transferohej në Korenë e Jugut pasi dëshironte të fillonte një jetë të re. “Dua të filloj një jetë të re. Jam mërzitur nga Tajlanda”, ka thënë ai.
Saharat është akuzuar për import të paligjshëm të lëndëve narkotike. Ai pranoi se kishte porositur ekstazi përmes kriptovalutës.
Saharat nuk i ishte i panjohur për policisë, pasi ka qenë i arrestuar edhe tre herë të tjera. Një herë ai u ndalua me një akuzë për sulm dhe policia gjeti në zotërim 290 pilula ekstazi dhe 2 kg (4.4 lb) lëndë narkotike në formë të lëngshme. Por ai arriti t’i shpëtonte paraburgimit dhe në një moment iu nënshtrua procedurave të gjera kirurgjikale për t’iu shmangur hetuesve.
Gjenerali i Policisë Tajlandeze Theeradej Thammasutee e përshkroi atë si “një nga shkaqet kryesore të epidemisë MDMA të Bangkok”, raportoi The Straits Times.
“Ai është një bos droge që importon drogë MDMA nga Evropa. Ne besojmë se ka më shumë të dyshuar në vendet e huaja. Ne do të vazhdojmë hetimin tonë,” tha Thammasutee. Ndërsa nga ana e tij, Saharat ka deklaruar se importonte kryesisht drogë nga Holanda, ndërsa ka mohuar njohjen e identitetin e njerëzve me të cilët bashkëpunonte.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




