Arsimi dhe Formimi Profesional, kriteret e reja për kurset, regjistrimet dhe transferimet e nxënësve

Një Udhëzim i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka sjellë shtesa dhe ndryshime të rëndësishme në organizimin dhe funksionimin e institucioneve të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP). Këto ndryshime prekin disa aspekte, duke filluar nga organizimi i brendshëm i shkollave e deri te procedurat e rekrutimit dhe detyrat e personelit.
Udhëzimi përfshin ndryshime në strukturën e brendshme të institucioneve të AFP-së, duke shtuar “ekipet lëndore” pranë departamenteve mësimore. Gjithashtu, theksohet se hartimi i planit vjetor duhet të bëhet në bashkëpunim me grupet e interesit, si dhe me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA).
Udhëzimi përcakton afate të reja për dërgimin e planeve vjetore në AKPA—deri më 20 qershor për shkollat profesionale dhe deri më 30 janar për qendrat e formimit profesional. Planet duhet të prezantohen dhe diskutohen me komunitetin e gjerë, përfshirë prindërit, nxënësit dhe bizneset.
Të gjitha regjistrimet në institucionet e AFP-së do të bëhen përmes platformës “e-Albania”. Përjashtohet transferimi i nxënësve të klasës së dhjetë.
Për kurset profesionale, numri minimal i kursantëve duhet të jetë 7, ndërsa maksimali 15. Përjashtim bëjnë institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, ku numri minimal është 5.
Më shumë përgjegjësi dhe detyra për personelin
Udhëzimi ndryshon dhe shton detyra për pozicione të ndryshme, si dhe krijon pozicione të reja, si ai i Përgjegjësit të Sektorit të Administrimit në Formimin Profesional dhe Oficerit të Sigurisë, shkruan rtsh.al.
Pozicioni i përgjegjësit të Sektorit të Administrimit ka detyra të shumta, duke përfshirë planifikimin, organizimin dhe monitorimin e procesit mësimor, vlerësimin e stafit, dhe bashkëpunimin me bizneset për praktika profesionale. Për të aplikuar për këtë post, kërkohet diplomë “Master shkencor”, 1 vit eksperiencë në një ofrues publik të AFP-së dhe 3 vite eksperiencë pune në fushën e kualifikimeve profesionale.
Për pozicionin e ri, parashikohet një proces me dy faza: verifikim paraprak i dokumentacionit dhe intervistë me gojë. Kandidatët duhet të arrijnë një minimum prej 70 pikësh për t’u kualifikuar.
Me pozicionin e Oficerit të Sigurisë synohet një garantim i sigurinë në shkolla. Detyrat përfshijnë monitorimin, parandalimin e dhunës, bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese dhe hartimin e raporteve të sigurisë. Për këtë pozicion kërkohet të jetë shtetas shqiptar, të ketë zotësi të plotë për të vepruar, dhe të mos jetë i dënuar për vepra penale.
Udhëzimi specifikon detyrat e reja për specialistët e arkivit/protokollit dhe sekretarët, si dhe përcakton kohën e qëndrimit javor të mësuesve të arsimit profesional në 30 orë.
Për kursantët e formimit profesional, humbja e të drejtës së certifikimit ndodh nëse mungesat kalojnë 20% të orëve totale të kursit. Për mungesa të justifikuara më shumë se tre ditë, kërkohet miratimi me shkrim nga drejtori.
Këto ndryshime synojnë të rrisin efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve të Arsimit dhe Formimit Profesional në Shqipëri, duke forcuar strukturat drejtuese, standardizuar procedurat dhe duke shtuar fokusin te siguria dhe nevoja e tregut të punës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





