Arsimi parauniversitar me risi, Kumbaro: Fokus te talentet dhe aktivitetet ekstra, hapet rruga për mësuesit në pension dhe specialistët

Arsim | 6 muaj më parë

Pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka bërë të ditur një vendim të ri që synon forcimin e programeve edukative jashtë orarit mësimor në sistemin parauniversitar.

Sipas saj, përveç kurrikulave dhe programeve të detyrueshme, Ministria e Arsimit ka “energjizuar” programet pas shkollore, duke përfshirë aktivitete si arti dhe zejet, olimpiadat, festivalet dhe nisma të tjera që tashmë janë pjesë e programit edukativ të sanksionuar me ligj.

Kumbaro theksoi se qeveria ka miratuar një vendim që synon zgjerimin e kohës që nxënësit kalojnë në shkollë përtej orarit të detyrueshëm, duke e mbushur atë me aktivitete që zhvillojnë talentet dhe nxisin shijet estetike.

Një nga risitë kryesore është mbështetja financiare për këto programe. Ministrja bëri të ditur se është vendosur dyfishimi i pagesës për orët jashtë mësimit të detyruar, duke arritur në 10 mijë lekë të vjetra për 60 minuta, nga 5 mijë që ishte propozuar më parë.

“Ministria e Arsimit krahas kurrikulave dhe programit të detyrueshëm në sistemin parauniversitar ka energjizuar programin pas shkolle, art e zeje, olimpiadat, festivalet, janë pjesë e programit edukativ dhe me ligj. Sot miratuam një VKM që e mbështet, që koha që fëmijët kalojnë në shkollë të jetë përtej orarit të detyrueshëm dhe të zihet dhe me shumë aktivitete të tjera përmes zbavitjes, edukojnë talentet, kënaqin shijet estetike.

Kjo pjesë e programit duhet të mbështetet financiarisht. Sot vendosëm të dyfishojmë honorarin që shpërblehen këto orë jashtë mësimit të detyruar në shifrën 10 mijë lekë të vjetra për orë për 60 minuta. Ishte parashikuar 5 dhe kemi mbërritur në 10. Hapim listën e bashkëpunëtorëve jo vetëm me mësuesit që janë brenda sistemit shkollor, por me mësus në pension që janë aktivë, me specialistë të arteve, muzikës, të bëhen pjesë e programeve jahstëshkollore”, deklaroi Kumbaro.

Gjithashtu, ministrja theksoi se është hapur rruga për përfshirjen e një game më të gjerë bashkëpunëtorësh në këto programe, jo vetëm mësues brenda sistemit arsimor, por edhe mësues në pension, si dhe specialistë të fushave të artit dhe muzikës.

Sipas Kumbaros, kjo nismë synon të krijojë një mjedis më të pasur edukativ për nxënësit dhe të rrisë cilësinë e përvojës së tyre në shkollë përmes aktiviteteve të larmishme dhe gjithëpërfshirëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme