BE: Votimi për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me miratimin nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Zyrtarët në Bruksel vlerësojnë se votimi i këtyre ndryshimeve bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe kanë kërkuar që Prishtina të respektojë pavarësinë dhe mandatin e Dhomave të Specializuara.
“BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe është i sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht”, deklaroi një zëdhënës i Bashkimit Evropian.
Sipas BE-së, Dhomat e Specializuara po zhvillojnë proceset gjyqësore mbi bazën e parimit të përgjegjësisë penale individuale. Brukseli ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të garantojnë që këto procese të vijojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha zëdhënësi i BE-së.
Reagimi i BE-së vjen pasi Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, miratoi ndryshimet në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ndryshimet e miratuara parashikojnë një ngushtim të juridiksionit të Dhomave të Specializuara, duke e kufizuar atë kryesisht te pretendimet për trafikimin e organeve dhe krimet që lidhen drejtpërdrejt me to. Projektligji ndryshon gjithashtu periudhën kohore dhe territoriale për veprat që mund të jenë objekt i gjykimit.
Mes ndryshimeve të tjera është edhe përcaktimi i një dënimi maksimal prej 15 vitesh burgim, mundësia e faljes presidenciale, si dhe transferimi në Kosovë i rasteve që nuk do të përfshihen në juridiksionin e ri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




