Bum turistësh në Korçë, rezervime të shumta për vjeshtën e dimrin

Turizëm | 12 muaj më parë

Sezoni i vjeshtës por edhe ai i dimrit në Korçë janë mjaft të frekuentuara nga turistët vendas por edhe mjaft të huaj. Sipas të dhënave nga operatorët turistikë muaji tetor është plotësisht i rezervuar, ndërsa kanë nisur edhe prenotimet për festat e fund vitit.

“Sezoni i vjeshtës dhe i dimrit është një sezon për Kocën dhe jo vetëm në muajin tetor ne jemi me kapacitete maksimale por kanë filluar edhe prenotimet për Vitin e Ri dhe mund të themi që jemi diku në 50% të rezervimeve për fund vitin”, u shpreh operatorja turistike, Eriketa Koçollari.

Në qytet sheh grupe të ndryshme turistësh të huaj të cilët janë mjaft të interesuar për të vizituar të gjitha vendet historike e kulturore, e sidomos për të njohur më shumë njerëzit.

“Koha është shumë e bukur tani, ndërsa korriku e gushti janë mjaft të nxehtë, prandaj zgjodhëm këtë stinë e cila ka diell, por ka edhe të gjitha ngjyrat e vjeshtës. Korça më duket shumë interesante, shumë e ndryshme nga qytetet tona në Gjermani, por shumë origjinale”, tha një turiste.

“Jam nga Gjermania. Më shumë më pëlqejnë njerëzit, janë shumë miqësorë, të përshëndetin. Unë jam duke udhëtuar me një mikrobus në të gjithë Shqipërinë dhe kudo njerëzit kanë qenë shumë miqësorë. Më pëlqen shumë edhe ushqimi, e natyra, ju keni një natyrë të mrekullueshme, malet, liqenin e Ohrit, detin, është shumë bukur”, theksoi një tjetër turist.

Për shkak të paketave turistike, mësojmë se në Korçë janë prenotuar të gjitha hotelet e bujtinat edhe për muajt maj e shtator të vitit të ardhshëm.

“Muaji maj dhe shtator për vitin 2026 janë më kapacitete maksimale në të gjitha hotelet e Korçës”, shpjegoi Koçollari.

Gjatë vjeshtës e dimrit në Korçë organizohen edhe një sërë aktivitetesh kulturore të cilat e bëjnë edhe më të këndshëm qëndrimin për vizitorët.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme