Cacio e pepe, receta e makaronave nga faqja britanike që shkaktoi zemërim në Itali

Italianët kanë reaguar të zemëruar pasi faqja e njohur ushqimore “Good Food” në Mbretërinë e Bashkuar publikoi një recetë për një pjatë tradicionale romake që nuk përfshinte përbërësit e duhur origjinalë dhe dukej se e nënçmonte atë si një gatim të shpejtë.
Makaronat cacio e pepe janë një pjatë e dashur romake, e njohur për përbërësit e thjeshtë, por çuditërisht sfiduese për t’u gatuar, ndaj përshkrimi i “Good Food” për të si diçka që mund të gatuhet për “një drekë të shpejtë” irritoi shumë njerëz.
Receta renditi gjithashtu katër përbërës: spageti, piper të zi, parmixhano dhe gjalpë dhe sugjeroi krem si opsion. Ndërkohë receta origjinale ka vetëm tre përbërës: spageti, piper të zi dhe djathë pecorino.
Zemërimi ishte i tillë sa një shoqatë që përfaqëson restorantet në Itali e çoi çështjen me ambasadën britanike në Romë.
Presidenti i saj Claudio Pica tha se letrat i ishin dërguar Immediate Media, pronarit të faqes dhe ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar Edward Llewellyn.
“Kjo pjatë ikonike, tradicionalisht nga Roma dhe rajoni i Lazios, ka qenë një element kryesor i kuzhinës italiane për vite me radhë, aq sa është përsëritur edhe përtej kufijve të Italisë. Receta origjinale për cacio e pepe përjashton parmixhanin dhe gjalpin. Nuk ka katër përbërës, por tre: makarona, piper dhe pecorino”, tha ai.
Ndërsa disa kuzhinierë mund të eksperimentojnë me pjatën, shqetësimi kryesor është se faqja e internetit mashtroi lexuesit duke paraqitur versionin e saj si origjinal.
Italianët shpesh tallen me të huajt për interpretimin e recetave të tyre, por indinjata në këtë rast ka të bëjë me diçka më të thellë: manipulimin e traditës.
Maurizio dhe Loredana drejtojnë një hotel në qendër të Romës, ka qenë në familjen e tyre për katër breza.
“Ju mund të bëni të gjitha variacionet në botë, por nuk mund të përdorni emrin origjinal italian për to. Nuk mund të thuash se është cacio e pepe nëse vendos gjalpë, vaj dhe krem në të. Pastaj bëhet diçka tjetër”, tha Maurizio.
Giorgio Eramo drejton një restorant makaronash të freskëta pranë sheshit të Shën Pjetrit, duke shërbyer cacio e pepe dhe pjata të tjera tradicionale të makaronave.
“Është e tmerrshme. Nuk është cacio e pepe… Ajo që botoi Good Food, me gjalpë dhe parmixhano, quhet ‘makarona Alfredo’. Është një lloj tjetër recete,” tha ai.
Nicola, i cili drejton një dyqan sanduiçësh pranë Vatikanit, u kundërpërgjigj veçanërisht për përfshirjen e kremit.
“Cacio e pepe nuk duhet bërë me krem. Kremi është për ëmbëlsira. Për hir të Zotit. Kushdo që përdor krem nuk e di se çfarë do të thotë gatim”, tha ai.
Eleonora, e cila punon në një kafene të ngarkuar në qendër të Romës, mendon se ndoshta nuk është e nevojshme që italianët të zemërohen kaq shumë për diçka të tillë, por e kupton pse e bëjnë.
“Tradita jonë bazohet në ushqim. Pra, nëse prekni të vetmen gjë që kemi, në të gjithë botën… kjo mund të na bëjë të ndihemi pak të trishtuar”, tha ajo./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





