Ceremonia e diplomimit të Universitetit Bujqësor, Kumbaro dhe Salla: Reforma e universitetit ju përgatit për tregun europian 2030

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ishin të pranishëm në ceremoninë e diplomimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku 881 studentë të programit Bachelor dhe 651 të programeve Master, përmbyllën ciklin e tyre të studimeve pranë këtij universiteti.
Gjatë fjalës së saj, ministrja e Arsimit iu drejtua studentëve se duhet të jenë krenarë që po diplomohen në universitetin më të vjetër shqiptar, reformimi i të cilit garanton diploma që në vitin 2030 do të jenë një pasaportë për tregun europian të punës. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të sektorëve ku ata po diplomohen në rritjen e ekonomisë dhe punësimit në vend.
“Ekonomia në fund të vitit 2025 ka shënuar rritjen e saj më të lartë historike në Shqipëri. Bashkë me sektorin publik dhe privat kemi pagën më të lartë historike. Në sektorin publik, në fund të vitit 2025, rroga mesatare ishte 1026 euro në muaj, ndërsa në sektorin privat 785 euro në muaj. Bujqësia, agronomia, veterinaria janë sektorë strategjikë edhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto në ekonomi që për vitin 2025 ishte 27 miliardë euro, krahasuar me 10 miliardë euro që ishte në vitin 2013. Këto shifra i thashë për t’ju treguar që jeni në sektorin e duhur. Reformat të dashur kolegë nuk janë për pedagogët, janë për studentët që diplomat tuaja sot e në 2030 të jenë një pasaportë edhe një kartë shumë e mirë për tregun e punës që do përballemi me një treg që s’është më ai i sotmi. Prandaj kini kurajo të çani, ta ruani, ta mbroni por dhe ta promovoni fort profesionin tuaj. Promovoni fort modelet e suksesit në profesionin tuaj, bëhuni influenser të bujqësisë, veterinarisë, agronomisë sepse kjo është ajo që mund të jepni sot e kontribuoni nesër”, u shpreh ministrja.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, vlerësoi rolin e Universiteti Bujqësor në shumë fusha të zhvillimit të vendit dhe u bëri thirrje të diplomuarve të jenë pjesë e bashkëpunimit për ta çuar bujqësinë dhe zhvillimin rural përpara.
“Me dijen tuaj do të bëjmë një ndryshim rrënjësor në zhvillimin e bujqësisë shqiptare dhe së bashku do ta çojmë përpara atë”, tha Salla.
Reforma që po zbatohet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në partneritet me Universitetin Boku të Vjenës, ndërton një model të ri zhvillimi për universitetin, duke u mbështetur në avantazhet e tij konkurruese dhe duke rikonceptuar mënyrën se si organizohet, funksionon dhe ndërvepron me shoqërinë dhe ekonominë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





