Debatet për fjalët e huaja në fjalor, 40 mijë fjalë të reja pasqyrojnë zhvillimet e viteve të fundit

Arsim | 8 muaj më parë

Futja e fjalëve të huaja në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe ka nxitur debate mes atyre që e shohin si pasurim të gjuhës dhe atyre që e konsiderojnë rrezik për varfërimin e saj. Sipas Olger Brames, studiues i gjuhës shqipe dhe pjesë e grupit të punës për hartimin e fjalorit, vendimi për përfshirjen e këtyre fjalëve lidhet drejtpërdrejt me dendurinë e përdorimit të tyre gjatë viteve të fundit.

“Ato tashmë janë bërë pjesë e përdorimit të gjuhës, e përditshmërisë së gjuhës, qoftë kjo e stilit të përditshëm bisedor, qoftë kjo e stilit juridiko-administrativ, etj,. Nëqoftëse ne një pjesë të këtyre fjalëve të ashtuquajtura të huaja sot i kemi futur në përdorim në gjuhë dhe i përdorim, nuk shoh ndonjë arsye përse të mos përdoren në fjalor”, deklaroi  Olger Brame, studiues i gjuhës shqipe.

Brame thekson se ky proces nuk synon të zëvendësojë fjalët shqipe, por përkundrazi, krijon mundësinë që të mos zhbëhen gjegjëset e tyre në shqip, duke i ruajtur ato paralelisht në përdorim.

“Të gjitha këto fjalë të huaja që janë futur tashmë, gjenden dendur në përdorim në shpjegimin e tyre nuk shpjegohen si çdo fjalë tjetër në fjalor, por shpjegimi i tyre jepet me sinonim”, shtoi ai.

Në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe janë përfshirë rreth 40 mijë fjalë të reja, mes të cilave edhe një numër i konsiderueshëm termash që i përkasin fushës së teknologjisë, si pasqyrim i zhvillimeve të shpejta dhe ndryshimeve në komunikimin bashkëkohor.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme