Deliu: Ukraina s’duhet të humbasë, Serbia po luan politikën e Rusisë në Ballkan

Tirana u kthye të mërkurën në qendrën e vendeve të Europës Juglindore, të mbledhura posaçërisht në një samit për Ukrainën.
Në praninë e presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski, kryeministri Edi Rama dhe liderët e rajonit dhanë mesazhe paqeje dhe apeluan për fundin e luftës që ka shkaktuar mijëra viktima prej fillimit të saj, 2 vjet më parë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu, i ftuar në “Jetë shqiptare”, tha se janë disa faktorë pse Shqipëria u zgjodh për të mbajtur Samitin për Ukrainën.
“Qëndrueshmëria politike, ekonomike dhe ushtarake… Shqipëria është investuar shumë në drejtimin ushtarak dhe në blerjen e armatimeve. Në 2024 ne kemi plotësuar normën 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, që nuk plotësohet as nga shumë vende të forta të NATO-s. Shqipëria ka hedhur hapa të vegjël, por shumë të sigurt në drejtim të zbatimit të parimit të të drejtave të njeriut dhe të dënimit të agresorëve, siç ishte në rastin konkret Rusia,” u shpreh z. Deliu.
Në Samitin për Ukrainën nuk mungoi as presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Në deklaratën e tij, kryeshtetari i Serbiës tha se nuk lëkundet nga qëndrimi i vendit të tij për të mos e sanksionuar Rusinë në raport me luftën e saj në Ukrainë.
“Këtu në Ballkan kemi Serbinë, që është partnere e Rusisë, jo e Perëndimit, dhe këtë duhet ta themi qartë. Por presidentit Vuçiq i duhet thënë troç se nëpërmjet ndikimit rus, Serbia po luan politikën e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ai madje nuk vendos sanksione, por ka lidhur marrëveshje të reja ushtarake me Rusinë. Gjatë gjithë kësaj kohe po investon që të destabilizojë veriun e Kosovës, republikën Sërpska të Bosnjës. Këto vende janë direkt të rrezikuara nëse lufta në Ukrainë përfundon me humbje për ukrainasit. Prandaj thirrja është e qartë: samiti është shumë i rëndësishëm që Ukraina nuk duhet ta humbë luftën. Përndryshe radha është e Moldavisë, e Kosovës dhe e Bosnjës,” tha z. Deliu për “Jetë shqiptare”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




