Dritëro Arifi: Në Ballkan s’do ketë luftë, por Moldavia e Gjeorgjia rrezikohen nga Rusia

Europë | 3 vite më parë

Analisti Dritëro Arifi, njëherësh profesor i shkencave politike në Kosovë, u shpreh për “Jetë shqiptare” se atij i duket i pamundur skenari i një konflikti ushtarak në Ballkanin Perëndimor.

Komentet e z. Arifi u bënë në përmbyllje të Samitit për Ukrainën në Tiranë, ku u ngrit edhe ideja e destabilitetit që mund të përhapet përtej fushëbetejës ruso-ukrainase. 

Ai tha se Serbia mbetet aleate e Rusisë, por nuk mund të zbatojë politikat ruse në një terren të kontrolluar thuajse tërësisht nga NATO-ja, siç është edhe rajoni ballkanik.

“Rreziku ushtarak është shumë i largët. Më shumë do i përshtatej definicioni i destabilizimit, sesa i një konflikti real ushtarak. Kjo sepse duke llogaritur gjeografinë, Serbia është vend problematik, por nuk do të ndërmerrte asnjëherë një aventurë ushtarake. Megjithatë mund të ketë destabilizim në Bosnjë-Hercegovinë apo edhe në veri të Kosovës, sepse terrenet janë të tilla. Duhet të kemi parasysh nga ana tjetër se Rusia nuk është ajo superfuqi që pretendojmë. Rusia është vetëm superfuqi bërthamore, por jo ushtarake apo ekonomike. Këto janë faktorë për avancimin e saj në terren.

Moldavia dhe Gjeorgjia mund të jenë më të rrezikuara. Moldavia nuk është pjesë e NATO-s dhe ajo ka një problem me një territor të caktuar prej viteve ’90. Ndërkohë, Ballkani Perëndimor më shumë mund të ketë destabilizim politik apo le të themi militarizim të mendimit politik të detyruar nga Serbia, por më shumë nuk besoj, sepse NATO është këtu. Kjo klima e militarizimit dhe konfliktit kinse permanent është pikërisht një luftë hibride, të cilën Rusia dhe Serbia po e shtyjnë me idenë e rajonit që shkon në një konflikt të armatosur. Serbia e ka të pamundur ta zhvillojë një luftë të armatosur, sepse ajo nuk është një fuqi ushtarake që mund t’i bëjë ballë Perëndimit,” u shpreh Prof. Arifi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme