E Majta në Parlamentin Europian propozon përgjysmimin e pagave të eurodeputetëve

Europë | 28 minuta më parë

Grupi i së Majtës në Parlamentin Europian do të kërkojë përgjysmimin e pagës bazë të eurodeputetëve, duke argumentuar se përfaqësuesit e zgjedhur janë shkëputur gjithnjë e më shumë nga realiteti ekonomik me të cilin përballen qytetarët evropianë.

Sipas Euronews, propozimi është paraqitur nga eurodeputeti belg Marc Botenga dhe parashikon uljen e pagës neto mujore të eurodeputetëve nga rreth 8,800 euro në afërsisht 4,400 euro.

Nisma është përfshirë në formën e një amendamenti ndaj rezolutës për buxhetin e Parlamentit Europian për vitin e ardhshëm dhe pritet të votohet gjatë seancës plenare në Strasburg pas dy javësh.

Botenga argumenton se shumë eurodeputetë nuk përballen me vështirësitë ekonomike të qytetarëve të zakonshëm.
“Eurodeputetët janë shumë të shkëputur nga njerëzit. Me pagat që marrin, ata nuk e dinë se çfarë do të thotë të mos jesh në gjendje të paguash qiranë”, deklaroi ai për Euronews.

Sipas grupit të së Majtës, përgjysmimi i pagave do t’i kursente Parlamentit Europian mbi 50 milionë euro nga buxheti vjetor.
“Në një kohë kur punëtorët përballen me rritje të kostos së jetesës, përfaqësuesit e zgjedhur duhet të japin shembull dhe të ndajnë barrën me qytetarët”, thuhet në amendament.

Megjithatë, propozimi ka hasur kundërshtime nga grupe të tjera politike. Eurodeputeti estonez Jaak Madison, nga grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, e cilësoi iniciativën si një “marifet populist”.

Sipas tij, nëse eurodeputetët e së Majtës duan të tregojnë solidaritet me qytetarët, mund të heqin dorë nga përfitime të tjera, si pagesa ditore prej më shumë se 350 eurosh që marrin për pjesëmarrjen në aktivitetet parlamentare.

Edhe eurodeputeti gjerman Daniel Freund, nga grupi i të Gjelbërve, e kritikoi propozimin, duke e quajtur një “mashtrim populist”.
Ai argumentoi se sistemi aktual i pagave është i lidhur me zhvillimet e pagave në shtetet anëtare të BE-së dhe konsiderohet i arsyeshëm.

Aktualisht, përveç pagës neto mujore prej 8,772 eurosh, eurodeputetët përfitojnë edhe rreth 4,950 euro në muaj për shpenzime të përgjithshme, si dhe një pagesë ditore prej 359 eurosh për akomodimin, ushqimin dhe shpenzime të tjera gjatë punës në Bruksel ose Strasburg.

Së bashku, këto përfitime mund t’i çojnë të ardhurat mujore të një eurodeputeti në rreth 18 mijë euro, në varësi të angazhimeve dhe pjesëmarrjes në aktivitetet parlamentare.

Përveç kësaj, eurodeputetët kanë në dispozicion më shumë se 32 mijë euro në muaj për pagesën e asistentëve parlamentarë dhe, pas përfundimit të mandatit, përfitojnë të drejtë pensioni nga mosha 63-vjeçare.

Sipas Euronews, pensioni llogaritet në masën 3.5% të pagës për çdo vit të plotë të ushtrimit të mandatit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme