E vërteta rreth mikroplastikës, rreziku i padukshëm që po “vret” botën

Kuriozitete | 1 vit më parë

Mikroplastikat nuk janë më një ndotje e largët mjedisore. Sot, ato janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, të pranishme në ajrin që thithim, në ujin që pimë, në ushqimin që hamë.

Një numër studimesh të publikuara së fundmi kanë zbuluar praninë e mikroplastikave në organet e brendshme të njeriut, përfshirë trurin, një organ që deri tani mendohej i mbrojtur nga barrierat natyrore të trupit. Një studim i ri, i botuar në revistën Nature Medicine, tregon se truri i njeriut mund të përmbajë deri në 7 gramë plastikë afërsisht sa një lugë çaji.

Studiuesit nga Universiteti i New Mexico kanë krahasuar mostra të trurit të njerëzve nga vitet 2016 dhe 2024 dhe kanë vënë re një rritje prej mbi 50% të sasisë së plastikës.

Studime të tjera, të kryera në minj laboratorik, tregojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj mikroplastikës ndikon në kujtesë, mësim, sjellje dhe mund të përshpejtojë sëmundje si Alzheimeri.

“Efektet në sistemin nervor janë të dukshme”, shprehet profesori Matthew Campen, bashkëautor i studimit. “Mikroplastikat nuk janë të padëmshme, ato janë të përbëra nga kimikate toksike që mund të ndikojnë në funksionimin normal të trurit.”

Një tjetër studim i publikuar nga studiues të Universitetit Columbia dhe Rutgers, zbuloi se një shishe uji plastike prej një litri përmban pothuajse 250,000 fragmente nanoplastike grimca të cilat janë aq të vogla sa mund të kalojnë përmes indeve dhe të futen në qelizat e trupit.

Pjesa më e madhe e këtyre fragmenteve vjen jo nga uji vetë, por nga materiali i shishes plastike. Megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deri më sot nuk ka nxjerrë përfundime mbi rrezikun për shëndetin nga konsumimi i mikroplastikave, ajo ka paralajmëruar se grimcat më të vogla se 10 mikrometra mund të përthithen nga trupi dhe ka kërkuar masa për uljen e ndotjes plastike.

Ekspozimi ndaj mikroplastikës nuk ndalet tek uji. Ajo ka depërtuar edhe në sistemin bujqësor, duke u gjetur në tokë, në ujërat vaditëse, dhe për pasojë, në vetë ushqimet që konsumojmë.

Kërkimet tregojnë se mikroplastikat grumbullohen më shumë në rrënjët e perimeve, duke bërë që produkte si karotat, rrepat dhe panxhari të kenë nivele më të larta ndotjeje sesa perimet me gjethe.

Mikroplastikat janë të padukshme për syrin, por prezenca e tyre është gjithnjë e më e dokumentuar dhe e pamohueshme. Ato janë të përbëra nga plastifikues, stabilizues, lubrifikantë dhe substanca të tjera toksike që nuk degradohen për dekada. Efektet afatgjata mbi trupin e njeriut mbeten ende të panjohura plotësisht, por shkencëtarët paralajmërojnë se rreziqet janë reale dhe mund të bëhen edhe më të mëdha me kalimin e kohës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme