Emocion, pasion dhe fillimi i një ëndrre – Koncerti i parë i Noemi Brahimllarit, studente në violinë

Arsim | 1 vit më parë

Një natë e veçantë, plot emocione dhe nota të pastra muzike u zhvillua në shkollën e mesme artistike “Tefta Tashko Koço” në Korçë, ku për herë të parë një vajzë e re që mëson violinën, mbajti koncertin e saj të parë para publikut.

Me duart që dridheshin nga emocionet dhe sytë që ndriçonin nga dëshira për të dhënë më të mirën, Noemi Brahimllari doli në skenë dhe solli përmes tingujve një ndjesi të rrallë që pushtoi sallën. Çdo lëvizje e harkut mbi telat e violinës ishte plot ndjeshmëri dhe kujdes, ndërsa repertori i përzgjedhur me kujdes i dha mundësinë të shprehë si forcën, ashtu edhe delikatesën që mbart muzika klasike.

“Jam shumë e kënaqur nga ky instrument për më tepër ishte dhe dëshirë e babait tim”, u shpreh Noemi.

Ky koncert shënoi jo vetëm një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik, por edhe një mesazh të qartë për të gjithë të rinjtë që ndjekin pasionin e tyre me përkushtim, punë dhe dashuri për artin, çdo ëndërr mund të nisë të marrë formë.

“Emocionet janë më të mëdha kur në skenë është nxënësi”, u shpreh mësuesja e violinës,  Iris Myrtollari.

Publiku e priti me duartrokitje të ngrohta, duke i dhënë edhe më shumë motivim për të vazhduar rrugën e muzikës.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme