Fermerët kërkojnë fonde për mekanikë bujqësore. Të interesuar edhe për ndërtim stallash, serrash dhe rrjeta antibreshër
Për të dytin vit radhazi në ndihmë të bujqësisë dhe zhvillimit rural po aplikohet Skema Kombëtare e Investimeve. Aplikimet kanë nisur dhe do të zgjasin deri në fund të muajit shtator.
“Kjo skemë përmbledh nëntë masa, duke filluar qysh nga mbjellja e fidanëve të pemëve frutore deri në përpunimin e fruta-perimeve. Këtu përmblidhen mekanika, blegtoria, ndërtimi i stallave, bletaria. Kjo është një skemë shumë e gjerë që përfshin gjithë bujqësinë,” thotë Ferdinand Shani, drejtor i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Lushnjë.
Vitin e shkuar në Lushnjë, kërkesat më të mëdha ishin për fonde për përmirësimin e mekanikës bujqësore. Ky interes po vihet re edhe në ditët e para të aplikimeve, ndërsa një tjetër mënyrë që fermerët të përfitojnë fonde është janë dhe kreditë e buta për këtë sektor në vlerën 250 milionë euro e me vlerë interesi vetëm 2%.
“Shteti mbulon 50 për qind të faturës për çdo pjesë të aplikimit që bën fermeri. E reja këtu është që mund të futen edhe me kredi të buta, me garanci sovrane nga ana e shtetit,” shton z. Shani.
Asistencë për plotësimin e dokumentacionit, të interesuarit marrin pranë Drejtorive të Bujqësisë dhe tek Agropikat, ndërsa dosja dorëzohet nga vetë fermerët pranë zyrave të AZHBR-së në Tiranë.
Gazetare: Nermin Spahiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





