Festivali i 65-të i Këngës në RTSH, zyrtarizohen 28 këngëtarët pjesëmarrës në edicionin jubilar

Kulturë | 40 minuta më parë

Pas përmbylljes së fazës së aplikimeve dhe procesit të vlerësimit nga komisioni përkatës, janë zyrtarizuar 28 këngëtarët pjesëmarrës për edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Ata janë ; Adhurim Demiri, Alegra Jaho, Algert Sala, Ana Bushgjokaj, Ardit Çuni, Arsi Bako, Auron Deva dhe DJ Sardi, Chip Deva, Djemte e Detit, Eldis Arrnjeti, Erinda Agolli, Gigliola Haveriku, Gjergj Jorgaqi, Herva Novaku, Josif Gjipali dhe Ardita Meni, Kejsi Jazxhi, Kejsi Tola, Khuba-Shkelzen Rexhaj, Leandra Godaj, Martina Serreqi, Michela Paluca, Orgesa Zaimi, Petro Fejza ft Antonio Papa, Rei Bezhani, Sara Bajraktari, Sigi Bastri, Vanesa Sono dhe Xhoni Jesku.

Faza e aplikimeve, e cila zgjati nga data 22 deri më 27 shtator, solli një interes të lartë nga artistë, kompozitorë dhe krijues të muzikës së lehtë shqiptare nga të gjitha trevat dhe diaspora.

Të gjitha dosjet e aplikimit u dorëzuan përmes formularëve të posaçëm online në uebfaqen zyrtare të Festivalit.

Për t’u bërë pjesë e këtij edicioni jubilar, të gjitha këngët e përzgjedhura i janë nënshtruar një rregulloreje strikte artistike dhe teknike, ku çdo këngë konkurruese interpretohet tërësisht në gjuhën shqipe dhe nuk i kalon 4 minutat kohëzgjatje.

Sa i përket origjinalitetit, krijimet janë krejtësisht të reja dhe të papublikuara më parë në asnjë platformë apo format publik.

Rregullorja e këtij edicioni ka ndaluar kategorikisht përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në çdo etapë të krijimit të këngës, duke i dhënë përparësi krijimtarisë njerëzore.

Edicioni i 65-të i Festivalit të Këngës do të zhvillohet në muajin dhjetor, duke vijuar traditën e gjatë si ngjarja më e rëndësishme e muzikës së lehtë në vend, ku ndërthuren emrat e njohur të skenës me talentet e reja të muzikës shqiptare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme