Fluks Aplikimesh për “Paketën e Maleve”, Rama: 787 aplikime për investime në 5 ditë

Bujqësi | 1 vit më parë

Vetëm pesë ditë pas hapjes së aplikimeve për masat lehtësuese të parashikuara në ligjin “Paketa e Maleve”, 787 qytetarë kanë aplikuar për të investuar në tokat e tyre në zonat malore.

Kryeministri Edi Rama publikoi të dhënat e para, duke ndarë edhe një hartë që tregon shpërndarjen e interesit në të gjithë vendin.

“Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve, ku në vetëm 5 ditë numërohen 787 aplikantë”, deklaroi Rama.

Gjithashtu ai i ka bërë thirrje të gjithë qytetarët, veçanërisht emigrantët, që dëshirojnë të rihapin shtëpitë e të parëve në zonat malore dhe kodrinore, të aplikojnë për të ndërtuar me leje biznese të qëndrueshme në fushën e turizmit dhe agropërpunimit.

“Të gjithë emigrantët posaçërisht, po edhe të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri e duan të rihapin derën e shtëpisë së të parëve në mal a në zonat kodrinore të vendit, për një bujtinë, një agroturizëm, një hotel malor, një fermë apo një linjë agropërpunimi, janë të ftuar të aplikojnë dhe ndërtojnë ME LEJE, duke përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe linja e kredisë së butë të Bankës së Shqipërisë”.-tha Rama.

Qëllimi kryesor i kësaj nisme është rigjallërimi i rajoneve të prekura rëndë nga emigrimi, migrimi i brendshëm dhe tkurrja ekonomike.

Përmes “Paketës së Maleve”, qeveria synon të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike në këto zona, duke frenuar largimin e popullsisë dhe duke gjeneruar të ardhura të reja.

Paketa parashikon mbështetje të veçantë për 500 aplikuesit e parë, duke përfshirë:  Përjashtim nga TVSH, Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat, Përjashtim nga taksat për pasuritë e paluajtshme , Përjashtim nga taksa për infrastrukturën për 10 vjet 

Paketa e Maleve u miratua nga Kuvendi në janar të këtij viti dhe ka për qëllim që t’i kthejë zonat malore në zona atraktive për zhvillim, duke kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike, rritjen e investimeve dhe përmirësimin e jetës së banorëve vendas.

Nisma shtron përpara detyrën për bashkitë që të bëjnë pjesën që u takon, ku roli i tyre në këtë nismë është thelbësor.

Bashkitë duhet që nëpërmjet analizave me stafet përkatëse të shpallin zonat me përparësi në territorin e tyre, të cilat do të mund të përfitojnë nga lehtësitë që parashikon kjo paketë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme