Formimi i vazhduar, Universiteti i Korçës hap regjistrimet për programin Psiko-Pedagogji

Aktualitet | 8 muaj më parë

Universiteti i Korçës ka nisur regjistrimet për vitin e tretë radhazi për Programin e Studimit të Formimit të Vazhduar në fushën Psiko-Pedagogjike.

Ky program u drejtohet kryesisht atyre që kanë përfunduar studime universitare dhe master shkencor në fusha të ngjashme me edukimin, por që nuk zotërojnë njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e nevojshme për ushtrimin e profesionit të mësuesit.

“Ky program synon të certifikojë të gjithë ata studentë që kanë mbaruar programe të ngjashme të fushës sonë, por që kualifikimin e dytë e kanë master shkencor”, tha Albina Pajo, Përgjegjëse e Departamentit të Edukimit.

Programi i pajis studentët me formimin psiko-pedagogjik të domosdoshëm për të ushtruar profesionin e mësuesit në arsimin parauniversitar, si në arsimin e mesëm të ulët ashtu edhe në atë të mesëm të lartë, sipas fushës përkatëse.

“Është një program i shkurtër, i cili zgjat vetëm 3 muaj (një semestër). Studentët pajisen me 35 kredite në fushën psiko-pedagogjike, pra në fushën e mësimdhënies, dhe më pas mund të ndjekin të gjitha procedurat për portalin, licencat dhe për të aplikuar, pse jo, për një vend pune në mësuesi”, tha Pajo.

Programi përbën një hap të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së arsimit dhe në përgatitjen profesionale të mësuesve të rinj. Procesi mësimor do të nisë më 23 shkurt, ndërsa afati për regjistrim përfundon më 19 shkurt.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme