Gjashtë medalistë të artë në “28 Nëntori” në Shkodër, të rinjtë rrëfejnë rrugëtimin e tyre dhe planet për studimet universitare
Dea, Anxhela, Dorisa, Erket, Enea dhe Kajla, e kurorëzuan me sukses të plotë rrugëtimin e tyre trevjeçar në gjimnazin “28 Nëntori Shkodër”
“Ishin vite të bukura, ishin vite sfiduese, por njëkohësisht dhe shpërblyese, pasi mu dha mundësia që të eksploroj shumë gjëra përmes aktiviteteve”.
“Klasa ime ka qenë e rrethuar me shumë nxënës të zgjuar të motivuar dhe kjo më ka motivuar domethënë edhe mua”.
“Këto tre vite gjimnaz ishin tre vite shumë të bukura, të mbushura plot me sfida, plot aktivitete, konkurse”.
“Nga ‘28 Nëntori’ kam marrë eksperiencat më të bukura të viteve më të bukur të jetës time. Sa të bukura kanë qenë edhe sfiduese sepse ka qenë një mundësi shumë e mirë për të testuar limitet e mia, por njëkohësisht edhe për t’u rritur si person”.
Tre vite përkushtim, sakrifica dhe orë të gjata studimi janë përmbledhur sot në një vlerësim të veçantë duke u shpallur medalistë. Të rinjtë tregojnë se gjimnazi nuk ka qenë vetëm një periudhë mësimi, por edhe një etapë formimi, ku kanë mësuar të përballojnë sfidat dhe të punojnë me disiplinë për të arritur objektivat e tyre. Për ta, provimet e Maturës Shtetërore ishin testi i fundit i një rruge të gjatë, ndërsa rezultatet e arritura u shpërblyen me Medaljen e Artë.
Tashmë, secili prej tyre është gati të nisë një kapitull të ri. Dea Boriçi do të vijojë studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa pjesa tjetër e medalistëve kanë zgjedhur të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri, duke u ndarë mes degëve të inxhinierisë dhe mjekësisë.
“Po bëhemi gati gradualisht për të vijuar universitetet në Boston në Universitetin e Harvardit”, tha Dea.
“Dua të vazhdoj për mjekësi në Shqipëri. Për studimet mendoj që do vazhdojë në Tiranë”
“Do studioj te Universiteti Politeknik në degën e inxhinerisë”.
“Në degët e inxhinierisë te Universiteti Politeknik në Tiranë”.
“Unë dua të studioj për mjekësi në Tiranë”.
Sot ata u rikthyen edhe një herë në bankat e shkollës, por të gjithë ndajnë të njëjtin synim: të japin më të mirën në profesionet që kanë zgjedhur dhe të justifikojnë suksesin e arritur deri më sot.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





