Gjermania, shteti më i madh në BE që legalizon kanabisin për personat mbi 18 vjeç

Gjermania ka vendosur të lejojë përdorimin e kanabisit për shtetasit mbi 18 vjeç me kushtin që sasia e lëndës së thatë narkotike që ata mbajnë të jetë nën 25 gramë, si edhe mund të mbjellin deri në tri bimë marijuhane në shtëpi.
Gjermania i bashkohet kështu Maltës dhe Luksemburgut me ligjet më liberale për kanabisin në Europë, ndërsa Holanda vitet e fundit ka marrë një qasje më strikte.
Ligji hyri në fuqi në mesnatë, kur qindra qytetarë në Portën e Brandenburgut në Berlin dolën të festonin duke ndezur cigare narkotike.
Në kuadër të reformës, nga 1 korriku do të mundësohet edhe shitja e ligjshme e lëndës narkotike nëpër “klubet e kanabisit” në vend.
Këto klube do të lejohen t’u shërbejnë deri në 500 vetave dhe t’u shpërndajnë jo më shumë se 50 g kanabis/person në muaj.
Qeveria gjermane e kryesuar nga kancelari socialdemokrat Olaf Sholc (o. Scholz) ka thënë se legalizimi do të pengojë rritjen e tregut të zi për substancën e njohur.
Por shoqatat për shëndetin thonë se legalizimi do të rrisë përdorimin e kanabisit mes të rinjve, duke referuar edhe studimet se marijuhana ndikon te zhvillimi i sistemit qendror nervor dhe mund të sjellë pasoja, si psikoza apo skizofreni.
Qeveria ka premtuar se do të ketë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi mbi rreziqet dhe për programet mbështetëse.
Vendimi thekson se kanabisi do të mbetet i ndaluar për personat nën 18 vjeç dhe në një rreze 100 metra nga shkollat, kopshtet dhe këndet e lojërave. /AFP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




