Gjirokastër, mbi 240 mijë vizitorë në 8 muaj – Aktivitetet kulturore kanë ndikuar në rritje
Gjirokastra vijon të mbetet një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike në jug të vendit. Përgjegjësja e Turizmit në Bashkinë e Gjirokastrës, Alesi Llapaj, bën të ditur se vetëm gjatë këtij viti është shënuar një rritje me rreth 20% të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas saj, nga muaji janar e deri më sot, qyteti i gurtë dhe rrethinat e tij janë vizituar nga mbi 240 mijë turistë vendas dhe të huaj,
“Flasim për shifra pozitive duke u nisur nga ato të kalasë, ku ka pasur rritje duke e krahasuar me vitin e kaluar. Për sa i përket muzeve që janë nën administrimin e bashkisë shifrat në krahasim me vitin e kaluar janë rreth 20%”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, Llapaj thekson se kalendari i aktiviteteve ka qenë i larmishëm, me ngjarje kulturore, artistike , ndërsa edhe në muajt në vijim pritet një agjendë e pasur që do të ofrojë alternativa për të gjitha moshat.
“Bashkia Gjirokastër ka ofruar për sezonin veror, një kalendar të pasur me aktivitete, festivale etj. dhe këto aktivitete do të vazhdojnë edhe në muajt që vijnë”, tha Llapaj.
Rritja e numrit të vizitorëve dhe pasurimi i ofertës kulturore dëshmojnë për potencialin e Gjirokastrës, e cila synon të konsolidohet edhe më shumë si një destinacion turistik gjithëvjetor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





