Gjuhët e Huaja promovojnë programet e reja të studimit tek të rinjtë, kriteret që duhen plotësuar për të aplikuar
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka bëri gati gjithë dokumentacionin që këtë vit të ri akademik të hapë për studentët një program të ri studimi.
Dekania e këtij institucioni të arsimit të lartë, Esmeralda Kromidha, në një intervistë për RTSH ka sqaruar se nga fillimi i këtij viti e deri në muajin prill, punonjës të fakultetit kanë bërë vizita në shumë shkolla të mesme për t’i njohur maturantët me programet e studimit që ofrohen dhe me kriteret që duhen plotësuar për të aplikuar tek to.
“Kemi një program të ri në Bachelor, në gjuhën angleze dhe në marrëdhënie me publikun, që e ka kaluar fazën e parë të miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Urojmë që ta hapim së shpejti këtë vit të ri akademik”, thotë Prof. Dr. Kromidha.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ofron jo vetëm anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, që janë ndër gjuhët më të kërkuara nga të rinjtë, por edhe gjuhë të rajonit.
“Ne ofrojmë gjuhë të rajonit të cilat janë më pak të folura: maqedonishten, që e zhvillojnë studentët si lëndë ekstrakurrikulare, bullgarishten. Së shpejti do të kemi një lektor kroat për të ofruar gjithashtu kroatishten”, tregon dekania e Fakultetit.
Të rinjtë që preferojnë të mësojnë gjuhë të huaja, por edhe që dëshirojnë një diplomë të dyfishtë për më shumë mundësi punësimi, mund të ndjekin Masterin në trajtimin automatik të gjuhëve dhe të sigurojnë kështu një diplomë nga Universiteti i Tiranës, njëkohësisht edhe nga ai i Sorbonës në Francë.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





