Zbulohet gjurma e dorës 4000-vjeçare në një varr të lashtë egjiptian

Kuriozitete | 1 vit më parë

Një gjurmë dore 4,000-vjeçare është zbuluar në një objekt qeramik të përdorur në një varr të lashtë egjiptian. Zbulimi u bë nga studiuesit e Muzeut Fitzwilliam të Universitetit të Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa po përgatiteshin për një ekspozitë që do të hapet këtë vjeshtë.

Gjurmët ndodhen në bazën e një tempulli, një model balte në formë ndërtese që vendosej në varre për të ofruar një vendbanim shpirtit të të ndjerit. Këto modele kishin një hapësirë përpara ku vendoseshin sende ushqimore si bukë, sallatë apo koka kafshësh.

Datimi i objektit shkon rreth viteve 2055–1650 p.e.s. Analizat treguan se ai u ndërtua mbi një strukturë prej druri, e cila u dogj gjatë pjekjes së qeramikës. Gjurmët u zbuluan poshtë objektit dhe besohet se janë lënë nga punonjësi i qeramikës kur objekti ende ishte i njomë, pak para tharjes dhe pjekjes në furrë.

“Është emocionuese të gjesh një gjurmë kaq të plotë dore është sikur të shohësh dorën e vetë krijuesit, një lidhje e drejtpërdrejtë me një njeri që jetoi katër mijë vjet më parë”, tha Helen Strudwick, egjiptologe dhe kuratore e ekspozitës.

Ky zbulim hedh dritë mbi artizanët e panjohur të Egjiptit të lashtë dhe fuqizon përqendrimin e ekspozitës te njerëzit që krijuan objektet, jo vetëm te faraonët për të cilët ato u ndërtuan.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme